“Karrierën e vetë politike e ka nisur në rrugë, harroi si hyri në pushtet” – Deputetët e opozitës i kundërpërgjigjen Kurtit pasi i quajti “nomadë”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ishte i papërmbajtshëm ndaj deputetëve të ish-opozitës pas përfundimit të seancës së dështuar të Kuvendit. Derisa vizitoi Podujevën për vendosjen gurthemelit të pishinës gjysmë-olimpike, Kurti u pyet nga gazetarët për dështimin e 34-të seancës për konstituimin e Kuvendit. Si pas përfundimit të zgjedhjeve dhe këtë herë, kreu i VV-së…

Lajme

19/06/2025 15:03

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ishte i papërmbajtshëm ndaj deputetëve të ish-opozitës pas përfundimit të seancës së dështuar të Kuvendit.

Derisa vizitoi Podujevën për vendosjen gurthemelit të pishinës gjysmë-olimpike, Kurti u pyet nga gazetarët për dështimin e 34-të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Si pas përfundimit të zgjedhjeve dhe këtë herë, kreu i VV-së vazhdoi me cilësime ndaj deputetët e ish partive opozitare, të cilët nuk po e pranojnë procesin e votimit të fshehtë – duke i quajtur “nomadë”, pasi sipas tij, ata nuk po duan të kenë “shtëpi”.

“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka thënë Kurti.

Deklaratën e fundit të Kurtit e kanë komentuar edhe deputetët e opozitës që thonë se lideri i VV-së bashkë me partinë e tij kanë qenë “nomadë”, pasi karrierën politike e kanë nisur në rrugë.

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra i tha lajmi.net se Kurti kur ishte në rrugë ishte idealist, e tani që është brenda i quan të tjerët “nomadë”.

“Kurti i quan opozitarët “nomadë”, ndërkohë që krejt karrierën e vet politike e ka bërë në rrugë! Ironia është që sapo futesh në pushtet, harron si ke hyrë aty. Kur ishte në rrugë ishte idealist. Tani që është brenda i quan të tjerët “nomadë””, tha Deliu.

Ajo tutje shtoi se Kosova po e paguan çmimin e papërgjegjësisë politike te Kurti dhe partisë së tij.

“Ne vend qe ti hapet rrugë krijimit të institucioneve, Kosova po e paguan çmimin e papërgjegjësisë politike te Kurti dhe partisë së tij”, tha ajo.

Ndryshe nga Deliu-Kodra, Xhevahire Izmaku nga NISMA tha për lajmi.net se në këtë fazë të ndjeshme politike, është e rëndësishme që të gjithë akterët të ruajnë një ton bashkëpunues dhe institucional, kjo pasi që vendi ka nevojë për zgjidhje – jo për etiketim.

“Në këtë fazë të ndjeshme politike, është e rëndësishme që të gjithë akterët të ruajnë një ton bashkëpunues dhe institucional. Vendi ka nevojë për zgjidhje, jo për etiketim. Deputetët e opozitës janë përfaqësues legjitimë të qytetarëve dhe pjesë thelbësore e funksionimit të Kuvendit”, tha Izmaku për lajmi.net.

Ndërkaq, sa i përket konstituimit të Kuvendit, deputetja e NISMA-s shtoi se janë duke u zhvilluar diskutime që synojnë një zgjidhje të përgjegjshme dhe përfshirëse.

“Sa i përket konstituimit të Kuvendit, procesi është ende në zhvillim dhe janë duke u zhvilluar diskutime që synojnë një zgjidhje të përgjegjshme dhe përfshirëse. Besojmë se me vullnet të mirë dhe qasje konstruktive nga të gjitha palët, mund të dilet nga kjo situatë dhe të hapet rruga për institucione funksionale dhe stabile”, tha ajo.

Për etiketimet e fundit të Kurtit ka reaguar edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ajo i tha lajmi.net se Kurtit i ka ‘humbur topi’, pasi narracioni ofendues dhe përçarës do t’i kthehet bumerang.

“Albin Kurtit i ka humbur topi fare. Narracioni ofendues dhe përçarës do t’i kthehet bumerang. Ai përdorë terminologji të papërshtatshme ndaj nesh me qëllim të thellimit të krizës politike sepse atij është duke i konvenuar vakumi institucional”, tha fillimisht Musliu.

Tutje ajo tha se termi “nomadë” i përshtatet vetë Kurtit pasi sipas saj me Kosovën nuk e lidhë as e kaluara e as prejardhja e tij.

“Nëse dikujt i përshtat më se miri termi “nomad” atëherë ky person është vet Albin Kurti të cilin me Kosovën nuk e lidhë as e kaluara, prejardhja e tij, as e ardhmja sepse ai fëmijën e vet nuk e rritë në Kosovë. Albini në Kosovë nuk as shtëpi sepse e ka blerë në Norvegji. Ne kemi një atdhe, kemi një pasaportë”, shtoi ajo.

Për fund, Musliu tha se Kurti është ‘nomadi’ i vërtetë vërtetë pa asnjë emocion për dheun e quajtur Republika e Kosovës.

“Në Kosovë ne na pushojnë eshtrat e të parëve tanë. Ne kemi tokë e shtëpi dhe një ditë do prehemi në këtë dhe. Pra, Albini është ‘nomadi’ i vërtetë pa asnjë emocion për dheun e quajtur Republika e Kosovës”, tha Musliu për lajmi.net.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë fituese, ndonëse jo me 50 për qind – Kurti shkoi aq larg sa liderët e partive të tjera i quajti edhe “hajvan”.

“Luftë hibride, me oligarkë që kërcënojnë punëtorë që japin pare pa hesap dhe me opozitë që bën marrëveshje edhe me dreqin kundër nesh. Por sërish kanë humbur dhe do të mbeten opozitë, sepse nuk ia duan të mirën as shtetit dhe as popullit. E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit…e kanë marrë vesh sonte të gjithë ata. Ata e kanë mashtru vetëm veten e tyre”, u shprehte Kurti.

Të mos harrojmë se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.83% ose 339 mijë e 350 vota. E dyta në renditje ishte PDK me 22,15% ose 184 mijë e 87 vota, e ndjekur nga LDK me 17,59% ose 146 mijë e 241 vota.

Ndonëse kanë kaluar pesë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mos ketë institucionet e formuara nga këto zgjedhje.

Vetëvendosje këmbëngul që me çdo kush ta emërojë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, emër ky që kundërshtohet dhe nuk përkrahet nga partitë e tjera.

Vetëvendosje arriti që më së shumti t’i sigurojë 57 vota për Haxhin dhe asnjë më tepër.

Kurse propozimi për komision të fshehtë nuk ka gjetur përkrahje- PDK, LDK AAK dhe Nisma nuk kanë paraqitur asnjë emër për anëtar të këtij komisioni.

Derisa Kuvendi po mbetet pa konstituim, ngjashëm mbetet edhe Qeveria në detyrë.

Albin Kurti si kryeministër në detyrë dhe deputet i betuar dhe ministrat në detyrë, shumë prej tyre po ashtu deputet të betuar.

Derisa veprojnë herë në Qeveri e herë në Kuvend për këtë çështje përgjigje nuk pati ende nëse po shkelet ligji.

Nga Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur ende asnjë përgjigje as për ankesën që AAK bëri në kuadër të situatës së krijuar.

Situata politike dhe institucionale në vend vazhdon të jetë e bllokuar dhe siç mund të kuptohet nga zhvillimet e fundit- zgjidhja shihet të jetë larg./Lajmi.net/