Karrierat e tradhtisë dhe të turpit

Albin Kurti thotë se politikanët shqiptarë janë ngritur në karrierë, duke marrë vendime që janë në dëm të vendit. Ato vendime sipas tij, janë privatizimi, çarmatosja e UÇK’së dhe heqja dorë nga mbrojtja e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit.

Lajme

26/12/2013 16:28

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi sot në Kuvendin e Kosovës, se politikanë të ndryshëm shqiptarë, jo vetëm kryeministri aktual, janë ngritur në karrierë dhe kanë ardhur në qeverisje këto 25 vitet e fundit me tri vendime kryesore.

Njëri vendim, sipas tij, është në rrafshin ekonomik e dy të tjerë në rrafshin politik.

“Në rrafshin ekonomik, duke e pranuar dhe zbatuar privatizimin neoliberal”.

“Në rrafshin politik, së pari, duke hequr dorë nga shqiptarët jashtë Kosovës dhe trojet e tyre autoktone, pra nga shqiptarët në Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc  dhe ata në Maqedoninë Perëndimore”.

“Dhe, vendimi i dytë politik: duke kontribuar në çarmatosje dhe demilitarizimin e shqiptarëve, pra në shuarjen e UÇK’së, UÇK’së në Maqedoni dhe UÇPMB’së. Fundi i luftërave në Kosovë, në Kosovën lindore dhe në Maqedoni përputhet me çarmatosjen e ushtrive shqiptare dhe jo të atyre serbe e maqedone”.

“Ky moment dhe ky fakt i ka përkufizuar dhe i ka përcaktuar zhvillimet e mëtutjeshme politike shumë më tepër sesa që mendohet”.

“Paqja e fituar përmes demilitarizimit të shqiptarëve posteriori i ka riinterpretuar shqiptarët dhe kryengritjet e tyre të armatosura si problem themelor e jo shtypjen e shfrytëzimin ndaj shqiptarëve që i shkaktoi ato kryengritje”.

“Pra, ngritja individuale në karrierë e politikanëve për në qeverisje e pushtet, realizohej përmes rrudhjes së qëllimit dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve”.

Kurti tha se më 14 janar 2006, Kuvendet Komunale të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit e miratuan platformën për të drejtat, vullnetin dhe interesat e shqiptarëve.

Shtatë vjet më vonë, më 12 janar 2013, u rikonfirmua kjo platformë në këto Kuvende Komunale.

Por, sipas tij, ajo ashtu siç u braktis në Vjenë, u shpërfill edhe në Bruksel.

“Duke mos qenë parakusht për dialog me Serbinë, nuk u bë as temë  në dialog me të”.

“Sot, në Kosovë, të gjithë jemi dëshmitarë që po thellohet decentralizimi mbi baza etnike ndërsa në Serbi ka centralizim mbi baza etnike”.

“Gjykatat dhe prokuroritë komunale dhe gjykata për kundërvajtje u shuan në Preshevë e Bujanovc në vitin 2010. Kompetencat u bartën në gjykatën themelore në Vranjë dhe atje tash janë 54 gjykatës serbë dhe vetëm tre sosh shqiptarë”.

“Nga 446 të punësuar në institucionet shtetërore në Preshevë, 212 janë shqiptarë e 225 serbë. Nga 764 të punësuar në Bujanovc, 160 janë shqiptarë dhe 597 janë serbë. Nga 386 të punësuar në Medvegjë, shqiptarë janë vetëm 15, kurse serbë 366. Gjithsej në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, në institucionet shtetërore, janë të punësuar 1596 veta, prej tyre 387 shqiptarë (apo 24.25%) dhe 1188 serbë (apo 74.44%). Shqiptarët përbëjnë 89.1% të popullsisë në Preshevë, 54.69% të popullsisë në Bujanovc dhe 26.17% në Medvegjë, apo, marrë së bashku, në këto tri komuna, shqiptarët janë 64.74% të popullsisë”.

“Pra, shqiptarët përbëjnë gati 2/3 e popullsisë por nuk marrin pjesë as me çerekun e të punësuarve në institucionet shtetërore në ato tri komuna”.

“Se si shqiptarët janë të diskriminuar në veri të Kosovës e dinë të gjithë. Por, këtu do të përmend se si ata janë të diskriminuar edhe, për shembull, në Shtërpcë. Në Shtërpcë janë bërë 25 milionë investime dhe janë 3 milionë euro borxhe, pra, janë gjithsej 28 milionë euro për tri vite e gjysmë. Nga këto, vetëm 3% janë për vendbanimet e banuara me shqiptarë, e dihet se shqiptarët përbëjnë 35% të popullsisë së Shtërpcës”.

Albin Kurti tha se asnjëherë, asnjë cent, për asnjë çështje Qeveria aktuale e Kosovë nuk e dha për shqiptarët matanë kufirit.

“Ndërkohë që ata kontribuan njësoj në çlirimin e Kosovës dhe e paguan çmimin më të lartë meqenëse mbetën jashtë Kosovës së pavarur. Pa Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc do ta kenë të vështirë edhe të mbijetojnë se lëre më të zhvillohen”.

“Po e theksoj edhe njëherë, me tri vendime janë ngjitur në karrierë shqiptarët në çerek shekullin e fundit: duke e pranuar dhe zbatuar privatizimin neoliberal, duke hequr dorë nga bashkim kombëtar dhe duke i çarmatosur dhe demilitarizuar shqiptarët”.

“Por, të gjitha këto karriera dhe secila prej tyre janë karriera të tradhtisë, të turpit, janë karriera të padrejtësisë, janë karriera që e dëmtojnë brezin aktual dhe karriera të cilat i rrezikojnë brezat e ardhshëm”.