“Karnavalet e Korçës”, sukses në Prishtinë

17:07 | 22 Shkurt 2019

Pas shumë kërkesave nga publiku kosovar, regjisori Altin Basha u rikthye në Teatrin Kombëtar të Kosovës me komedinë lirike “Karnavalet e Korçës”, shkruar nga satiristi korçar Spiro Çomora.

Kjo shfaqje, e realizuar me klas nga Basha, u mirëprit nga publiku.

Pa emocion nuk ngeli as regjisori Altin Basha.

“Ndihem i plotësuar, sepse asnjë nga elementët, të cilët do të doja të bashkëvepronin në mënyrë maksimale në premierë, nuk më tradhtoi. As aktorët, as skenografia, as ndriçimi, as kostumet dhe as muzika. Në këtë kuptim, për një regjisor, shqetësimi i madh i premierës është që të gjithë elementët të jenë në maksimumin e tyre dhe të bashkëveprojnë pa e prishur unitetin e të gjithë veprës”, tha Altin Basha.

Aktorët e shfaqjes u shprehën se, kjo përvojë skenike nuk do të harrohet lehtë.

Skenografia dhe kostumografia, me elemente të viteve ’30, kur edhe është shkruar ky tekst, në formë moderne e kompletoi harmoninë skenike të të gjithë këtij projekti.

Komedia “Karnavalet e Korçës” nis tashmë rrugëtimin edhe në qytete të tjera, përfshirë kryeqytetin shqiptar.