Kaq qendra të votimit do të hapen jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar qendrat e votimit jashtë Kosovës.Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar qendrat e votimit jashtë Kosovës.Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo listë do të mund të rishikohet nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike
Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues. Votimi jashtë Kosovës do të zhvillohet me datë 27 dhjetor.
Kjo kërkesë e MPJD-së nxiti edhe debat mes anëtarëve të KQZ-së, por pas polemikave të shumta, KQZ miratoi me gjashtë vota që në votimin jashtë Kosovës të përfshihen edhe qendrat alternative, krahas votimit në konsullata dhe ambasada. Përcaktuese në këtë votim ishte vota e anëtares së KQZ-së nga radhët e komunitetit turk.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, tha se rekomandimi fillestar i Këshillit për Operacione Zgjedhore ka qenë që të hapen 50 qendra të votimit në diasporë me 66 vendvotime për 62 mijë votues të mundshëm.
Ai e konsideroi si jo adekuate kërkesën e MPJD-së që të hapen qendra alternative shtesë për votuesit jashtë Kosovës.
“Këshilli për Operacione Zgjedhore ka miratuar rekomandimin që të hapen 50 qendra të votimit në 66 vende me 62 mijë votues të mundshëm për të votuar në përfaqësitë diplomatike, për votuesit që regjistrohen për votim jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për 66 vendvotime në 50 qendra të votimit që në këtë rast janë përfaqësi diplomatike, konsullata dhe ambasada. Ka qenë një kërkesë tjetër prej MPJD-së për disa hapësira shtesë për disa vende që të hapen si qendra alternative për votuesit jashtë Kosovës. Mirëpo në Këshill ka kaluar vetëm propozimi i parë”, tha ai.
Mirëpo me këtë qëndrim nuk u pajtua anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, duke e konsideruar të domosdoshme që krahas votimit në ambasada, konsullata dhe përfaqësi diplomatike, të shtohet edhe votimi në qendrat alternative shtesë.
“Me forcën e shumicës së votave u ndanë dhunshëm qendrat e votimit jashtë vendit, duke i dalluar në hapësira shtesë dhe misione diplomatike me qëllimin për të kufizuar mundësinë e qytetarëve për të votuar në sa më shumë hapësira gjatë ditës së zgjedhjeve, në përfaqësi diplomatike dhe hapësira që na kanë ardhur si adresa nga MPJD…Dje kaluam në një vendimmarrje e cila këtu u cilësua si gjoja po mbrohet integriteti, dhe sot në mbledhje u pa qartë se s’ka të bëjë me integritetin, por me pamundësimin e votimit të mërgatës në çfarëdo lloj forme. Unë nuk isha çuditur edhe me ardhur propozimi që me ia ndalu me votua”, theksoi ai.
Atij i reagoi anëtari i KQZ-së nga PDK, Ilir Gashi, i cili kritikoi MPJD-në se po ndërhyn në procesin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai tha se KQZ-ja nuk guxon të hapë qendra jashtë objekteve dhe përfaqësive diplomatike dhe konsullore, pasi bën shkelje të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme.
“Edhe në zgjedhjet e kaluara dhe tash po përsëritet një ndërhyrje flagrante e Ministrisë së Jashtme në këtë proces. Ajo synon për të hapur qendra jashtë vullnetit të këtij institucioni, nuk e di në klube apo vende që ne nuk e kemi as idenë se ku hapen. Prandaj nuk e di, ndoshta kanë interesa edhe ekonomike, pasi ka qendra deri në 90 mijë euro që do të paguhen… Ky institucion nuk mund të hapë qendra jashtë objekteve dhe përfaqësive diplomatike dhe konsullore, pasi bën shkelje mbi Ligjin për zgjedhje të përgjithshme”, deklaroi ai.
Këtë anëtari i KQZ-së nga LVV, Sami Kurteshi, e konsideroi si tendencë të hapur për të penguar mërgatën të votojë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Është një tendencë e hapur për me pengu mërgatën me votua. Thuaje thjeshtë”, tha ai.
Kjo nxiti debat mes Kurteshit dhe Gashit, derisa ky i fundit mohoi akuzat e anëtarit të LVV-së në KQZ.
“Nuk është e vërtetë kjo që po e thua. Kjo është shpifje… Nuk është e vërtetë se dikush po dëshiron me ndalu diasporën, përkundrazi”, tha ai.
Megjithatë, Kurteshi vazhdoi të insistojë, derisa i kërkoi Gashit të mos i ndërhyjë në fjalim.
“Kolegu im i dashur, ndale veten dhe merre me të mirë. Unë jam tu fol dhe mos ndërhy. Unë e di që po të djeg dhe tash po reagon”, theksoi ai.
Duke marrë parasysh këto polemika, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kërkoi që krahas votimit në ambasada, konsullata dhe përfaqësi diplomatike, të votohen edhe qendrat alternative.
Madje ai shprehu dyshime se do të jetë e pamundur që materialet zgjedhore të dërgohen me kohë në ambasada.
“Për me qenë më realist e pragmatik në këtë proces, mendimi im është të votohet kjo dhe të shohim pastaj sipas procedurës në regjistrim dhe t’i largojmë disa. Po ashtu, mund të jepet mundësia edhe të parashtrohet ndonjë ankesë në PZAP dhe të marrim një interpretim të drejtë nga ana e gjyqësorit për këtë çështje që e keni ngritur këtu…Sipas diskutimeve me zyrtarë të sekretariatit, ka me qenë e pamundur që materialet zgjedhore me i dërgua në të gjitha këto ambasada. Ne do të tentojmë, por ka me qenë e pamundur… Kemi një kohë shumë të shkurtër për me organizua tërë këtë proces në diasporë. Mundësia me dështua, nuk dua të them fjalë të mëdha, por është në rrezik”, theksoi.
Në pikën tjetër të rendit të ditës, u prezantua raporti i Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Lista Preliminare e Votuesve përmban: 2,076,422 votues, prej të cilëve 1,067,499 burra dhe 1,008,923 gra. Pra, kjo listë votuese përmban 7,324 votues më shumë në krahasim me Zgjedhjet e Lokale, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në fund të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e sloganit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025. Slogani i fushatës informuese është: Kosova voton!/kp