Kaq para i fitoi Apple falë pandemisë
Kompania amerikane ka rritur shitjet dhe fitimet në vlera deri tani të papara – pavarësisht krizës së koronavirusit. Apple i ka tejkaluar vlerat milionëshe të xhiros së sipërmarrjes.
Auto & Tek
Për sa i përket shitjeve, Apple ka tejkaluar për herë të parë shifrën prej 100 miliardë dollarë në një tremujor – e kjo madje bindshëm. Më parë, vetëm gjigandi i supermarketeve Walmart dhe kompania e naftës Exxon Mobil kanë pasur suksese të ngjashme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me saktësisht 111,44 miliardë dollarë, shitjet e Apple janë rritur në tremujorin e fundit me 21 përqind, krahasuar me një vit më parë. Këto shitje më së shumti janë rritur në kohën e Krishtlindjeve, njoftoi koncerni. Fitimi u Apple është rritur me 29 përqind dhe ka arritur vlerën e 28,7 miliardë dollarë – që gjithashtu është rekord i këtij koncerni amerikan.
Përfitime prej pandemisë së koronavirusit
Pajisjet e Apple janë shitur më shumë në të gjithë botën. Duket se ndalimi apo kufizimi i lëvizjeve ka ndikuar dukshëm në rritjen e shitjes së pajisjeve të këtij koncerni. Apple ka përfituar edhe nga vendimet e shumë sipërmarrjeve, të cilat kanë kërkuar që punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia.
IPhone 12 me aftësi 5G dhe një përzgjedhje më e madhe e modeleve të tjera të Apple ka tërhequr shumë klientë, por janë shitur shumë edhe kompjuterët Mac dhe iPad. Rritjes dhe fitimeve u kanë kontribuar shumë edhe shërbimet e ofruara përmes internetit.
Në nëntor kompania nga Silicon Valley promovooi laptopin e saj të parë me çip të vetin dhe në këtë mënyrë vulosi largimin e saj nga partneri i kahershëm Intel. Megjithatë ngjashëm me industrinë e automjeteve ose dhe Microsoft, edhe Apple ka pasur kohët e fundit pengesa në ofrimin e prodhimeve të veta për shkak të pandemisë Corona.