Kapja e pushtetit nëpërmjet koalicioneve parazgjedhore
Nga Ridvan Emini.
Opinion
E majta dhe e djathta, s’ka dyshim se sot janë kategorizimi më i përgjithësuar sa herë që bëhet fjalë për profilin dhe bindjet ideologjike të partive politike.
Përgjithësisht, të gjitha kategorizimet tjera, më shumë i ngjasojnë nënkategorive që bëhen në kuadër të të djathtës dhe të të majtës, ndërsa në shumë shtete kanë filluar të vijnë në shprehje edhe partitë të pozicionuara rreth qendrës.
Pjesë e këtyre nënkategorive, jo rrallëherë kanë ditur të jenë edhe parti me qasje ekstreme, të cilat në anën tjetër edhe i humbnin kuptimin kufirit mes të djathtës dhe të majtës. Parlamenti Evropian paraqet më së miri profilizimin e partive politike sepse pavarësisht se nga cili shtet vinë, aty grupimet politike bëhen në saje të profilit të tyre politik.
Pluralizmi politik në Kosovë është më i hershmi ndër shqiptarë, nëse marrim parasysh se e gjithë hapësira e banuar me shqiptarë ishte gjysmë shekulli më parë e sunduar nga komunizmi. Ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ajo e cila e filloi historinë e re të pluralizmit ndër shqiptarë qysh në fund të vitit 1989. Si e tillë, ajo kishte qartazi edhe karakteristika të një lëvizjeje gjithëpopullore, ngase në radhët e saj kishte qindra mijëra anëtarë të regjistruar. Por, nuk ishte e vetmja kjo parti që bëri këtë diferencë nga monizmi, ishte edhe Partia Fshatare e Kosovës e udhëhequr atëbotë nga Hivzi Islami.
Kjo parti, gjithashtu ishte një model i profilizimit të qartë politik dhe synimeve të saja programore.
Sot nëse vështrojmë partitë që kanë peshë relevante në Kosovë, është shumë e qartë se disa nga to, që nga themelimi i tyre nuk e kanë ndërruar asnjëherë kryetarin e partisë. Një gjë të tillë mund ta gjejmë tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kjo është një tregues i mirë se partitë politike nuk janë në nivelin e duhur të demokracisë. Pavarësisht kësaj, të gjitha partitë pa dallim, organizojnë vazhdimisht zgjedhje të brendshme partiake, por të cilat shpeshherë i ngjasojnë spektakleve të përgatitura për tu paraqitur në media, si rast më emblematik dhe më të freskët kemi zgjedhjet e fundit të brendshme të LDK-ës apo edhe rasti i zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ku edhe si rezultat i tyre u nda kjo parti në dysh.
Ky rast i LVV-së është thuajse i njëjtë me zgjedhjet e LDK-së në fund të vitit 2006 pas vdekjes së liderit të saj Ibrahim Rugova, ku njihet si Kuvendi i karrigeve, ku edhe u nda në dysh kjo parti, por ngjason shumë edhe me zgjedhjet e fundit të LDK-së të mbajtura pak ditë më parë. Ndoshta e vetmja gjë që mund t’i përbashkoj rreth një koalicioni parazgjedhor këto dy parti është fryma e organizimit të zgjedhjeve të brendshme të tyre, dhe po ashtu disa individ të cilët nuk e kanë bërë shkëputjen nga komunizmi (konsideroj se janë rreshtuar gabimisht në strukturat udhëheqëse të LDK-së.) Pra, asgjë tjetër nuk mund t’i lidh këto dy parti sa i përket ideologjisë.
Një fat të ndarjes e ka pësuar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por disi e ka kaluar më me lehtësi atë edhe pse konsiderohet se ka pësuar mjaft humbje elektorale nga ajo.
Por, të gjitha partitë pavarësisht shkallës së demokracisë së brendshme, nuk e kanë krejtësisht të qartë bindjen ideologjike përjashtuar këtu vetëdeklarimet lidhur me këtë. Përndryshe bie në sy që në statutin e Lëvizjes Vetëvendosje, sanksionohet që në kuadër të një pozite drejtuese askush nuk mund të ushtroj më shumë se dy mandate, andaj këtë Albin Kurti e ka përdorur me mjeshtri kur kishin vendosur që në krye të Lëvizjes të vihet Visar Ymeri, sa për ta ‘respektuar’ këtë pikë dhe për tu rikthyer sërish në krye në zgjedhjet e radhës më 21 janar të vitit 2017.
Një pjesë e madhe e partive politike në Kosovë, preferojnë të deklarohen si të djathta. Kjo shpeshherë nuk është e bazuar në politikat e tyre programore të publikuara. Kah mund të vije ky përcaktim kah e djathta? Përcaktimi kah e djathta mund të vije në shprehje edhe si reagim ndaj kohës së monizmit në mënyrë që të aplikohet një dallim i qartë me kohën kur vendi qeverisej nga partia komuniste.
Një shembull tipik i kësaj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila brenda natës kalon nga e majta në të djathtë duke u vetëdeklaruar, ndërsa në praktikë nuk ka mundur asnjëherë të bëjë shkëputje nga e majta, të paktën nga periudha sa ka qen në pushtet që nga 2007 e deri më sot. Tani në Kosovën pluraliste, partitë politike të cilat deklarohen si të majta janë në rritje sidomos në dekadën e fundit.
Pra, skena politike në Kosovë ka një tendencë të profilizimit dhe rreshtimeve ideologjike. Bie në sy që partia më e vjetër është pjesë e Partive Popullore Evropiane (EPP). Sa i përket të majtës, Lëvizja Vetëvendosje, sot prin në mesin e partive të cilat vetëdeklarohen si të majta, kurse një kohë ishte aktive edhe Partia Socialdemokrate e Kosovës e që sërish është kthyer në skenë pas ndarjes së LVV-së, ku të dalurit e saj kaluan që të gjithë në këtë parti duke e marrur në duar edhe timonin e saj.
Përndryshe, vërehet një kohë të gjatë që përcaktimet programore, e që veçanërisht shpalosen gjatë fushatave zgjedhore, jo gjithmonë i mbështesin vetëdeklarimet mbi përkatësinë ideologjike të partive.
Duhet pranuar se në Kosovë nuk ka një kufi të qartë mes të djathtës dhe të majtës, në anën tjetër jo pak parti i ngjasojnë më shumë konglomerateve rreth të cilave janë mbledhur njerëz me bindje ideologjike të ndryshme, por që, brenda partisë i bashkon një çështje e caktuar apo edhe interesat personale.
Për shkak të specifikave që ka Kosova, e ku spikatet sidomos brishtësia e sistemit social, veçanërisht sistemit shëndetësor, gati të gjitha programet e partive kanë tendenca të njëjta mes tyre, por që përgjithësisht shihet një rrëshqitje e orientimeve që janë karakteristikë e të majtës.
Andaj, në ditët e sotme kur jemi në prag të zgjedhjeve nacionale të parakohshme, koalicionet partiake parazgjedhore vetëm se kanë filluar si ai mes AAK-së dhe PSD-së dhe së fundi i Nisma-së dhe AKR-së. Këto koalicione nuk janë krijuar mbi bazë të programeve dhe i profilizimeve të tyre ideologjike, por janë krijuar mbi parimin e rrëmbimit të pushtetit, pra të dalurit i pari në zgjedhje.
Të njëjtën tendencë e ka edhe Lëvizja Vetëvendosje, ku me çdo kusht dëshiron që të bëjë koalicion parazgjedhor me LDK-në, pra duket qartë që bie ndesh me profilizimin e të dy partive. Këtyre ditëve me të madhe po ndodhin kalimet e individëve nga një parti në një parti tjetër, ndoshta, një profilizim më të qartë ideologjik se sa vetë partitë politike po e bëjnë këto transferet e tyre nga një parti në një parti tjetër.
(Ridvan Emini është studiues i filozofisë dhe analist politik nga Prishtina)