Kapja e 15 kg marihuanë në Prishtinë: Bastisten disa lokacione, çka u gjet?
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar katër persona nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikët, armëmbajtjen e paautorizuar dhe dhënien e ndihmës kryesve të veprave penale. Aksioni është realizuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, me ç’rast janë kryer bastisje në disa lokacione. Gjatë…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar katër persona nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikët, armëmbajtjen e paautorizuar dhe dhënien e ndihmës kryesve të veprave penale.
Aksioni është realizuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, me ç’rast janë kryer bastisje në disa lokacione.
Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar 15 kilogramë e 443 gramë marihuanë, 1.7 gramë kokainë, si dhe katër qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashash.
Përveç substancave narkotike, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe dy vetura, dy armë zjarri, 62 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër telefona mobilë dhe para të gatshme në vlerë prej mbi 9 mijë eurosh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat e ndaluar dyshohen për vepra penale që ndërlidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, posedimin e paautorizuar të armëve, si dhe dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.
Ndërkohë, prokurori i shtetit ka paraqitur kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre gjatë procedurës penale.