Kapiteni nuk duroi më, reagimi i Xhakës ndryshoi ritmin e Zvicrës ndaj Kolumbisë
Në përballjen e fazës së 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Kolumbisë, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, tërhoqi vëmendjen jo vetëm me paraqitjen në fushë, por edhe me një reagim të fuqishëm gjatë pjesës së parë. Zvicra hasi në vështirësi në minutat e para të takimit, ndërsa Kolumbia mori gradualisht kontrollin e lojës…
Sport
Në përballjen e fazës së 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Kolumbisë, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, tërhoqi vëmendjen jo vetëm me paraqitjen në fushë, por edhe me një reagim të fuqishëm gjatë pjesës së parë.
Zvicra hasi në vështirësi në minutat e para të takimit, ndërsa Kolumbia mori gradualisht kontrollin e lojës dhe krijoi rastet më të mira për shënim. Në minutën e 21-të, portieri Gregor Kobel shpëtoi skuadrën e Murat Yakinit me një pritje spektakolare ndaj Gustavo Puertas.
Gjatë ndërprerjes për hidratim, Xhaka shfaqi hapur pakënaqësinë e tij. I irrituar me mënyrën se si po zhvillohej loja, ai mori një shishe uji dhe e hodhi me forcë në tokë. Menjëherë më pas, kapiteni mblodhi shokët e skuadrës dhe u mbajti një fjalim motivues, duke u kërkuar më shumë intensitet dhe përqendrim në lojë.
Reagimi i mesfushorit zviceran duket se pati efekt. Pas rikthimit në fushë, Zvicra luajti minutat më të mira të pjesës së parë. Fabian Rieder iu afrua golit të epërsisë, ndërsa Dan Ndoye u ndal nga portieri kolumbian Camilo Vargas, me rezultatin që mbeti 0-0 deri në fund të 45 minutave të para.
Pavarësisht tensionit të shfaqur nga Xhaka, reagimi i tij u pa si një përpjekje për të zgjuar skuadrën në një moment të vështirë të ndeshjes, ndërsa gjithçka mbeti e hapur për pjesën e dytë.