Kapiteni i Kosovës flet pas pritjes së ngrohtë nga tifozët boshnjakë: Nuk e kemi pritur se do na presin shumë mirë

Kombëtarja e Kosovës në hendboll të dielën pësoi edhe humbjen e dytë nga Bosnja e Hercegovina në takimin kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2024. Reprezentacioni boshnjak i hendbollit triumfoi 25:18 kundër “Dardanëve”. Zhgënjimi i humbjes në Tuzlla të Bosnjë e Hercegovinës u bë më e lehtë për hendbollistët kosovarë. Atyre iu bë një pritje e…

Sport

13/03/2023 19:49

Kombëtarja e Kosovës në hendboll të dielën pësoi edhe humbjen e dytë nga Bosnja e Hercegovina në takimin kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2024.

Reprezentacioni boshnjak i hendbollit triumfoi 25:18 kundër “Dardanëve”.

Zhgënjimi i humbjes në Tuzlla të Bosnjë e Hercegovinës u bë më e lehtë për hendbollistët kosovarë. Atyre iu bë një pritje e ngrohtë nga tifozët boshnjakë.

Këta të fundit gjatë intonimit të himnit të Kosovës shpalosën mesazhin e fuqishëm: “Mirësevini lojtarë nga Kosova e Pavarur”.

Kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj në një prononcim për lajmi.net pranoi se një pritje kaq të mirë nuk e kishin pritur në kampin e “Dardanëve”.

“E kemi pritur se tifozët boshnjakë do ta presin mirë. Mirëpo, ata na kanë pritur shumë mirë. Ata gjithashtu edhe kanë respektuar Kombëtaren tonë në atë përballje. Është kënaqësi kur shkojmë në një vend tjetër me zhvillu ndeshje dhe tifozët kundërshtarë presin shumë mirë dhe nuk të fyejnë”, tha kapiteni i Kosovës në hendboll, Valon Dedaj për lajmi.net.

Dedaj shpjegoi edhe arsyet e humbjes, teksa premtoi rikthimin e ekipit kombëtar ndaj Malit të Zi.

“Kjo humbje vjen nga faji ynë. Kemi pasur raste me barazu dhe me përmbys Bosnjën e Hercegovinën. Mirëpo, kur të humbasësh 13 goditje të qind për qindta nuk mundesh me fitu asnjë lojë. Besoj se do të kthehemi më të fortë kundër Malit të Zi”, deklaroi ai.

Kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj ishte golashënuesi më i mirë te “Dardanët” me 5 gola të realizuar, ndërsa katër i shtoi edhe Drenit Tahirukaj. Egzon Gjuka pati tri gola, ndërsa me nga dy kontribuuan Kastriot Jupa e Rron Ramadani, por që nuk arritën ta evitojnë humbjen në Tuzlla./Lajmi.net/