Kapet në flagrancë 36-vjeçari nga Kosova, priste t’i shiste kokainë një personi

Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Dibër L.H., 36-vjeçarin kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Sipas policisë, i dyshuari po priste për t’i shitur një personi kokainë, kur u kap në flagrancë dhe u arrestua. Gjatë operacionit “Pritja”, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pako me…

Lajme

05/06/2025 14:55

Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Dibër L.H., 36-vjeçarin kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas policisë, i dyshuari po priste për t’i shitur një personi kokainë, kur u kap në flagrancë dhe u arrestua.

Gjatë operacionit “Pritja”, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë narkotike kokainë.

Policia ka bërë të ditur se është në vijim puna për identifikimin dhe kapjen e personit që do të blinte lëndën narkotike.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e tentativave për shpërndarje të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pritja”. Në kuadër të operacionit, në Rrugën e Arbërit, në qytetin e Klosit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar, kapur dhe arrestuar shtetasin L. H., 36 vjeç, lindur në Kosovë dhe banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të cilën ky shtetas po priste t’ia shiste një shtetasi me të cilin kishte bërë marrëveshje më parë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personit që do të blinte lëndën narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””.