Kapet mbi 5 kg marihuanë në Gjakovë, arrestohet një person

Një aksion i Policisë së Kosovës i zhvilluar sot në Gjakovë ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike dhe arrestimin e një të dyshuari. Operacioni është realizuar nga njësitet përkatëse të hetimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në kuadër të një plani taktik. Gjatë kontrollit në…

Lajme

03/04/2026 16:25

Një aksion i Policisë së Kosovës i zhvilluar sot në Gjakovë ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike dhe arrestimin e një të dyshuari.

Operacioni është realizuar nga njësitet përkatëse të hetimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në kuadër të një plani taktik. Gjatë kontrollit në terren, policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, e cila drejtohej nga një person i identifikuar me inicialet A.B. (1978), transmeton lajmi.net.

Gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën e ulëseve të pasme janë zbuluar dhjetë pako të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale prej 5 kilogramë e 413 gramë.

Përveç drogës, autoritetet kanë sekuestruar edhe veturën si dhe dy telefona mobil që dyshohet se i përkisnin të arrestuarit.

I dyshuari është ndaluar dhe është shoqëruar në polici për intervistim, ndërsa me urdhër të prokurorit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Njoftimi i plotë: 

Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, Drejtoria kundër Krimit te Organizuar dhe ajo e Krimeve të Rënda, gjatë zbatimit të planit taktik me datën 03.04.2026 në Gjakovë kanë ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, të drejtuar nga personi tanimë i dyshuar A.B., (1978).

Gjatë kontrollit të automjetit, në pjesën tek ulëset e pasme janë gjetur dhe sekuestruar dhjetë (10) paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit Mariuhanë në peshë të përgjithshme prej 5 kg e 413 gram. Po ashtu në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet, si dhe dy telefona mobil që i përkisnin të dyshuarit.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar për intervistë, ndërsa me vendim të prokurorit i caktohet masa e ndalimit për 48 orë./lajmi.net/