Kapet instruktori i auto-shkollës duke marrë ryshfet, tjetri kapet me barna pa banderola: Krimet ekonomike iniciojnë dy raste në Pejë

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka iniciuar dy raste penale, këto raste janë iniciuar nga hetuesit e krimeve ekonomike. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot më 27.06.2024, kanë iniciuar dy raste penale: Rasti i parë: hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat…

Lajme

27/06/2024 20:25

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka iniciuar dy raste penale, këto raste janë iniciuar nga hetuesit e krimeve ekonomike.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), sot më 27.06.2024, kanë iniciuar dy raste penale:

Rasti i parë: hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një auto-shkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer. Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me akt-vendim të prokurorit të PTH-Pejë i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti i dytë: DHKEK, përkatësisht hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit -Pejë, më 27.06.2024, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Pejë, ku së bashku me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë realizuar kontrolle në tri barnatore në Pejë. Gjatë kontrollit, në dy barnatore, është gjetur një sasi e barnave pa banderola. Janë sekuestruar 144 paketime të barnave të ndryshme. Në prezencë të avokatit është intervistuar i dyshuari: N.Zh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar). Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’. Me akt-vendim nga prokurorja, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.