Kapen afër 20 mijë pako cigare kontrabandë

Doganat e Kosovës kanë realizuar një operacion për kapjen e një sasie të dyshuar të duhanit e cila kishte arritur të kontrabandohet nga Maqedonia.

Lajme

13/01/2016 16:22

 

Ky operacion zgjati për afër dy ditë ku fillimisht u arrit të kapet sasia e duhanit dhe pastaj të bëhet edhe arrestimi i pronarit të këtyre produkteve i cili sot me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Furgoni i cili transportonte mallrat kontrabandë udhëtonte në magjistralen Gjilan-Prishtinë dhe njëkohësisht ishte duke u përcjellë nga vetura të tjera të kontrabandistëve.

Njësitet e doganës kanë ndaluar furgonin, por gjatë këtij procesi janë sulmuar nga një veturë e cila ishte në përcjellje të tij.

“Kjo veturë goditi disa herë automjetet e doganës. Pas sulmit ndaj oficerëve doganorë vetura e cila ishte në përcjellje arriti të largohet përkohësisht, mirëpo oficerët doganor nuk ndërmorën masa, bazuar në vlerësimin e situatës dhe rrezikut dhe për faktin që në atë veturë gjendej edhe një fëmijë i mos hës 10 vjeçare”, thuhet në komunikatë.

Pas ikjes së automjetit dogana dhe policia e Kosovës janë angazhuar në kapjen e të dyshuarit. Sot i dyshuari është marrë në pyetje nga hetuesit doganor dhe është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.

Sasia e kapur e duhanit është afër 20 mijë pako ,me vlerë 30 mijë euro, e tërë sasia është konfiskuar.

Dogana fton qytetarët që të thërrasin në telefonin 0800 50 095 nëse hasin apo shohin keqpërdorime dhe kontrabandim, sepse vetëm së bashku mund të mbrojmë dhe ndërtojmë shtetin tonë.