“Kaosi” i shkaktuar me mbeturina në kryeqytet, IKSHPK paralajmëron pasoja shëndetësore

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka reaguar pasi tek çdo kontejner në Prishtinë është krijuar një “deponi mbeturinash”. IKSHPK përmes një komunikatë publikuar në rrjetin Facebook, ka treguar për rreziqet të cilat i paraqet kjo situatë, shkruan lajmi.net. “Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit.…

Lajme

19/05/2025 14:40

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka reaguar pasi tek çdo kontejner në Prishtinë është krijuar një “deponi mbeturinash”.

IKSHPK përmes një komunikatë publikuar në rrjetin Facebook, ka treguar për rreziqet të cilat i paraqet kjo situatë, shkruan lajmi.net.

“Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit. Kjo situatë krijon kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve, duke rritur rrezikun për përhapjen e sëmundjeve infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet e traktit respirator. Në aspektin mjedisor, mbeturinat kontribuojnë në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit, duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin. Djegia e tyre e pakontrolluar çliron tym dhe gaze të dëmshme si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike të frymëmarrjes, alergji dhe, në raste të caktuara, edhe sëmundje kancerogjene. Nga aspekti social, mungesa e menaxhimit të duhur të mbeturinave ndikon negativisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke krijuar shqetësime në mjedisin ku ata jetojnë”, ka theksuar IKSHPK në komunikatë.
Gjithashtu, në këtë komunikatë thuhet se rrezik shtesë paraqesin edhe qentë dhe macet endacake, të cilët shpërndajnë mbeturinat, duke rritur mundësinë për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe krijuar zhurmë në lagjet e qytetit. Sipas tyre, kapakët e kontejnerëve të hapur dhe kushtet klimatike me reshje shiu kanë favorizuar përhapjen e aromave të pakëndshme, duke ndikuar negativisht edhe në cilësinë e ajrit.
“IKSHPK rekomandon:
✅ Të bëhet largimi i rregullt i mbeturinave në çdo lagje të qytetit;
✅ Të sigurohet funksionalizimi dhe mbyllja e kapakëve të kontejnerëve të mbeturinave;
✅ Të pastrohet rregullisht hapësira përreth kontejnerëve;
✅ Të rregullohet menaxhimi i mbetjeve inerte që nuk largohen nga kompania “Pastrimi”;
✅ Të ndalohet hedhja e materialeve ndërtimore dhe të ngjashme në pikat e grumbullimit të mbeturinave urbane, duke vendosur shenja të qarta ndaluese në secilën pikë grumbulluese.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, IKSHPK kërkon që situata të tilla të mos përsëriten më”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së. /Lajmi.net/ 
Postimi i plotë: