Kaos në Sarajevë, Policia e Republikës Serbe nuk lejoi Policinë e Bosnjës ta arrestojë Dodikun

Në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Serbe në Sarajevën Lindore, ku aktualisht ndodhet presidenti i RS-së, Milorad Dodik, sot kanë arritur pjesëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA). Sipas informacionit të klix.ba, pjesëtarët e SIPA-s kanë tentuar ta arrestojnë Dodikun, por këtij veprimi i janë kundërvënë pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme…

Lajme

23/04/2025 21:24

Në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Serbe në Sarajevën Lindore, ku aktualisht ndodhet presidenti i RS-së, Milorad Dodik, sot kanë arritur pjesëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA).

Sipas informacionit të klix.ba, pjesëtarët e SIPA-s kanë tentuar ta arrestojnë Dodikun, por këtij veprimi i janë kundërvënë pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Serbe. Gjatë përpjekjes për arrestim nuk është përdorur forcë.

“Mund të konfirmoj se pjesëtarët e SIPA-s kanë qenë në Qendrën Administrative të Qeverisë së Republikës Serbe në Sarajevën Lindore, duke vepruar sipas urdhrit të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës në lidhje me veprën penale – moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ata kanë tentuar ta zbatojnë këtë urdhër, por janë penguar nga MPB-ja”, deklaroi zëdhënësja e SIPA-s, Jelena Miovçiq.

VIDEO

Kujtojmë se Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës kishte lëshuar më herët një urdhër-arrest për Milorad Dodikun, si dhe për kryeministrin e RS-së, Radovan Viskoviq dhe kryetarin e Kuvendit Kombëtar të RS-së, Nenad Stevandiq, pas një vendimi për dënim me burg për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Në muajin shkurt, Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës dha një vendim në shkallën e parë, me të cilin presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, u dënua me një vit burg për moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë. Përveç dënimit me burg, atij iu shqiptua edhe masa e sigurisë që i ndalon ushtrimin e detyrës së presidentit të Republikës Serbe për një periudhë prej gjashtë vitesh, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit.

Më herët gjatë ditës, Dodik ka arritur në Qendrën Administrative në Sarajevën Lindore, ku sonte planifikon të mbajë një takim me kryetarin e bashkisë dhe kryetarët e komunave që përbëjnë Qytetin e Sarajevës Lindore.

Përpara këtij takimi, Dodik ka qëndruar në Shekoviq, ku në orën 16:00 ka marrë pjesë në një takim me rastin e fillimit të projektit për gazifikimin e pjesës lindore të Republikës Serbe. Ky takim është mbajtur në ndërtesën e komunës, siç ishte paralajmëruar më herët nga Kabineti i Presidentit të RS-së.