Kaos në komunën e Gjilanit, Rashiti i PDK-së njofton se paparalajmërim është anuluar seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit Komunal

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar pas anulimit të seancës së Kuvendit Komunal për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së, duke e cilësuar situatën si vazhdim të “kaosit dhe paralizës institucionale” në komunë. “Pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale, është anuluar sot seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit”, ka…

Lajme

17/12/2025 12:45

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar pas anulimit të seancës së Kuvendit Komunal për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së, duke e cilësuar situatën si vazhdim të “kaosit dhe paralizës institucionale” në komunë.

“Pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale, është anuluar sot seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit”, ka shkruar Rashiti, transmeton lajmi.net.

Ai ka renditur një sërë problemesh në komunë, duke përmendur se “qindra punëtorë presin prej muajsh pagat”, “mijëra nxënës mërdhihen nëpër shkolla për shkak të mungesës së ngrohjes”, ndërsa qytetarët “nuk po marrin shërbimet bazike me kohë”.

Rashiti ka theksuar se dhjetëra projekte janë të bllokuara dhe se problemet janë grumbulluar “si pasojë e paaftësisë dhe papërgjegjësisë së kësaj qeverisjeje komunale”.

Në fund, ai ka shprehur bindjen se “më 28 dhjetor do të ketë reflektim qytetar dhe zë të arsyes në Gjilan”, duke shtuar se “Gjilani meriton më mirë”./lajmi.net/