Kanosje dhe detyrim për borxh bixhozi – i dyshuari kërkon 21 mijë euro, arrestohet nga policia

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe “detyrimi”, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar nga Suhareka. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësisë Rajonale në Prizren, më…

Lajme

12/08/2025 16:26

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe “detyrimi”, pas një denoncimi të bërë nga një qytetar nga Suhareka.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësisë Rajonale në Prizren, më 11 gusht 2025 është pranuar një ankesë ku një qytetar pretendon se është kanosur dhe detyruar në mënyrë të vazhdueshme nga i dyshuari, banor i një fshati të Suharekës, transmeton lajmi.net

Në dëshminë e tij, ankuesi ka deklaruar se rreth tre vite më parë ka luajtur bixhoz në vlerë prej 9,000 euro, ndërsa aktualisht i dyshuari po i kërkon 21,000 euro, duke e kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme për kthimin e borxhit të pretenduar.

Hetimet paraprake kanë zbuluar se i dyshuari ka menaxhuar lojërat e fatit në mënyrë të paligjshme përmes adresave elektronike nga Zvicra dhe Kosova. Gjatë operacionit hetimor, policia ka sekuestruar një telefon, i cili do të ekzaminohet për të mbledhur prova lidhur me aktivitetin e organizuar të bixhozit.

Pas marrjes në pyetje në prani të mbrojtësit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është iniciuar procedurë penale ndaj të dyshuarit me inicialet A.L. (i lindur në vitin 1990, shtetas kosovar). Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë trajtim të vendosur të rasteve që lidhen me krimet ekonomike, lojërat e paligjshme të fatit dhe format e shtrëngimit financiar./lajmi.net/