Kanë nevojë për më shumë kohë apo nuk kanë interes që vendi të ketë institucione? – Këto janë qëndrimet e ndryshme të opozitarëve
Ndonëse seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbajt me 15 prill të këtij viti, dhe pas saj u mbajtën edhe 53 të tjera, Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Qëndrime të kundërta e “kryeneçësi”, nga secili subjekt politik, e krijuan një bllokadë në Kuvendin e Kosovës. Përderisa VV propozoi për kryekuvendare Albulena Haxhiun, partitë…

Lajme
Ndonëse seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbajt me 15 prill të këtij viti, dhe pas saj u mbajtën edhe 53 të tjera, Kuvendi mbetet i pakonstituuar.
Qëndrime të kundërta e “kryeneçësi”, nga secili subjekt politik, e krijuan një bllokadë në Kuvendin e Kosovës.
Përderisa VV propozoi për kryekuvendare Albulena Haxhiun, partitë opozitare PDK, LDK, dhe AAK deklaruan se nuk e votojnë dhe nuk e votuan.
PDK ka thënë se nuk do ta votoj askënd nga kabineti qeveritar Kurti 2, AAK ka thënë se do ta votonte vetëm Glauk Konjufcën, Shqipe Rexhepi-Selimin dhe Saranda Bogujevcin ndërsa nga LDK-ja thanë se nuk do të votojnë asnjë kandidat nga VV.
Pavarësisht gjithë atyre tentimeve, Kuvendi nuk u bë dhe partitë politike nuk arritën asnjë koncensus të përbashkët, ndonëse u thirrën në takime edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njëherë bashkë e pastaj të ndarë secili veç e veç.
Por, ku është problemi?
Lëvizja Vetëvendosje, e cila këmbëngul në propozimin që deputetja e saj, Albulena Haxhiu, të jetë kryetare e Kuvendit, ka kërkuar marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje, si dhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të legjislativit, derisa propozimi i LVV-së është kundërshtuar në vazhdimësi nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Për shkak të mos gjetjes së një zgjidhjeje nga ana e deputetëve për konstitumin e Kuvendit, javën e kaluar në një konferencë për media, Presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shqyrtim të konfliktit të kompetencave kushtetuese të krijuara nga mungesa e konstituimit të Kuvendit.
Sipas Osmanit, kërkesa është paraqitur pas një situate të paprecedent në jetën institucionale të vendit dhe për qëllim ka qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.
“Sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedent në jetën institucionale të vendit tonë, ku përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i cili ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm kanë mbetur vetëm pak ditë, mirëpo nuk shihet në horizont as konsensusi e as kompromisi për konstituimin Kuvendit brenda këtij afati kushtetues. Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues dhe çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak kërkesa jonë sot në esencë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, ka deklaruar Osmani një një konferencë për media.
Por kur kanë kaluar pothuajse një javë nga kjo kur edhe pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim me 8 gusht për ngërçin e krijuar në Kuvend tash e tre muaj, opozitarët ndajnë qëndrime të ndryshme rreth kësaj bllokade, se a kanë nevojë për më shumë kohë apo kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk dëshiron që vendin ta shohë me institucione.
E pyetur nga lajmi.net, rreth situatës së krijuar në Kuvend, deputetja e betuar nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se kjo situatë nuk është reflektim i mungesës së vullnetit, por i nevojës për më shumë kohë, mirëkuptim dhe besim ndërmjet palëve.
“Është e vërtetë që deri më tani nuk është arritur një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, por ne në Nismë vazhdojmë të besojmë se një marrëveshje është e mundur dhe e domosdoshme”, thotë Izmaku,
Teksa ka theksuar se qëndrimi i Nismës mbetet i pandryshuar, duke kërkuar që institucionet të funksionojnë dhe zgjidhjet të gjenden përmes dialogut politik, duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe rregullat kushtetuese.
“Presim që të gjitha palët të reflektojnë dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve me seriozitet dhe përgjegjësi. Për ne si Nismë, e rëndësishme është që ky proces të përfundojë me marrëveshje, jo me përjashtim. Ne jemi të përkushtuar që vendi të ketë institucione të qëndrueshme, sepse besojmë se qytetarët e meritojnë një qeverisje funksionale dhe të përgjegjshme”, thotë mes tjerash deputetja e Nismës.
Po ashtu sipas saj vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një akt që duhet të respektohet dhe të shërbejë si udhëzues për të gjitha palët politike, teksa shprehet se përtej afatit që është caktuar për konstituimin e Kuvendit, ky vendim duhet parë si një mundësi për të zhbllokuar situatën dhe për të ndërtuar një qasje më të qartë edhe për raste të ngjashme në të ardhmen.
“Ne presim që ky vendim të kontribuojë në qartësimin e hapave institucionalë dhe të ndihmojë në vendosjen e një standardi të qëndrueshëm për të gjitha palët politike, në respekt të rendit kushtetues dhe të vullnetit qytetar”, theksoi ajo.
Ndryshe nga deputetja e Nismas, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Ferat Shala, ka mendim më ndryshe i cili thotë se partitë politike do të duheshin të arrinin në një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve për hirë të Kosovës, për hirë të situatës politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Sipas tij kjo marrëveshje nuk po arrihet si shkak i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi siç thekson ai Kurti tashmë nuk ka ndonjë interes që ta shoh vendin si duhet, “me institucione, dhe normalitet politik, ekonomik e social, pra ska vullnet ta shpejtoj rrugën e integrimit dhe zhvillimit”.
Mes tjerash Shala shprehet i indinjuar me Kurtin pasi siç thotë ai e lëshoi këtë mundësi dhe po vazhdon me të njëjtin avaz mospërfillës ndaj opozitës.
“Abuzues dhe shkelës i ligjeve dhe kushtetutës”.
Gjithashtu sipas deputetit të betuar të PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), duhet të reflektoj në favor të respektimit dhe zbatimit të drejtë të vendimeve kushtetuese, ku siç thekson ai nuk ka alternativë tjetër demokratike e legjitime.
“E vetmja zgjidhje është që sa më parë të kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të qartë, konkret e sqarues dhe orientues për hapat e mëtutjeshëm të parlamentarve dhe krijimin e institucionit të parlamentit”, ka theksuar Shala për lajmi.net.
Ndërkaq pas tre kёrkesave, Kushtetuesja mё 24 korrik vendosi masё tё pёrkohshme ku e ndalon çdo veprim a vendim tё deputetёve pёr seancё konstituive e qё hyri nё fuqi mё 27 korrik dhe do të zgjat deri mё 8 gusht. Mirëpo në këtë sfond, qytetarët mbesin spektatorë të një loje pa rregulla. Institucionet e bllokuara, demokracia e plagosur, dhe një elitë politike që duket më shumë e interesuar në llogaritjet e pushtetit sesa në përgjegjësinë ndaj votuesve. /Lajmi.net/