Kandidatja për komisionare të Zgjerimit kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se ajo nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. “Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur…

Lajme

07/11/2024 13:36

Kandidatja për komisionare të Zgjerimit e BE-së, sllovenia Marta Kos, ka thënë të enjten se ajo nuk do t’i ndiqte tendencat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ka thënë ajo pasi është pyetur për idetë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat, sipas deputetit që bëri pyetje, mund të kthehen përsëri në tryezë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”.

Duke folur për zgjerimin, kandidatja për komisionare ka thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi t’i përmbyllin bisedimet për anëtarësim në bllok deri në vitin 2026 dhe 2027, përkatësisht.

Ajo i bëri këto komente duke folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian (PE), ku u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme të PE-së.

Kos shpreson ta marrë pëlqimin e komisionit për t’u emëruar në postin e komisionares për Zgjerim.