Kandidatja e PDK-së: Shtimi i 2 mijë votave u bë pa dijeninë time, krim i papranueshëm
Kandidatja e PDK-së për deputete, Luljeta Veselaj Gutaj tha se i është cenuar integriteti dhe kërkoi që “të papërgjegjshmit të vihen para drejtësisë”, pasi rinumërimi i disa votave nxori se ajo në fakt duhej të kishte afro 2 mijë vota më pak. Veselaj Gutaj përmendi përvojën e saj 20-vjeçare në politikë, ndërsa tha se integriteti…
Lajme
Kandidatja e PDK-së për deputete, Luljeta Veselaj Gutaj tha se i është cenuar integriteti dhe kërkoi që “të papërgjegjshmit të vihen para drejtësisë”, pasi rinumërimi i disa votave nxori se ajo në fakt duhej të kishte afro 2 mijë vota më pak.
Veselaj Gutaj përmendi përvojën e saj 20-vjeçare në politikë, ndërsa tha se integriteti i saj u cenua me “agjenda të panjohura”.
“Mu cënua integriteti im dhe i shtetit demokratik, të papërgjeshmit të vihen para përgjegjësisë.
Sivjet bëhen 20 vjet të karrierës sime politke, e përkushtuar të kontribuoj në ndërtimin e shtetit tonë. 20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura për mua dhe pa dijeninë time”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Kandidatja tha se “është pikërisht kjo formë e keq menaxhimit të cilën e kam luftuar për aq sa mundem dhe di vetë, sidomos në orvatjet e mia për zhvillimin e mendimit kritik dhe të përgjegjësisë së shoqërisë tonë, i munguar që moti dhe tashmë kemi pasojën e kësaj mendësie që këtë mënyrë veprimi e shohin si vegël për t’i arritur agjendat e veta”.
“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund asesi të falet, dhe do të kërkoj përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për dëmin e shkaktuar jo vetëm ndaj integritetit tim personal e politik, por edhe të integritetit të procesit më të shenjtë që e ka vendi ynë, atij zgjedhor”.
Veselaj Gutaj ka kërkuar rinumërim në të gjitha komunat.
“Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull. Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim të cilësdo parti në Kosovë, duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sjellen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat, ashtu që kjo dukuri jo vetëm që të del në shesh në nivel vendi por edhe të parandalohet me të gjitha mekanizmat e mundshme të drejtësisë, ashtu që të mos ndodhë në të ardhmen”, shkroi ajo.
Ajo tha se është e mllefosur dhe e zhgënjyer, por shtoi se do ta vazhdojë rrugën e saj politike.
“Ndonëse e mllefosur dhe e zhgënjyer me këtë dukuri të shëmtuar, unë do të vazhdoj rrugën time në karrierën politike me plot përgjegjësi, kompetencë dhe integritet, dhe nuk do të lejoj të bie viktimë dhe peng i mendësisë së shekullit të kaluar që na pengon në rrugëtimin tonë për fuqizimin e shtetit tonë”.