Kandidati i Listës Serbe akuzohet për shkelje të heshtjes zgjedhore në Kosovë

Kandidati për deputet nga Lista Serbe, Sreqko Spasiq, është kritikuar për shkelje të rregullave të heshtjes zgjedhore gjatë ditës së sotme të votimeve në Kosovë. Spasiq, sipas raporteve, ka publikuar në profilin e tij në Facebook numrat e disa kandidatëve për deputetë dhe ka bërë thirrje që ata të votohen, veprim i cili bie ndesh…

Lajme

28/12/2025 14:59

Kandidati për deputet nga Lista Serbe, Sreqko Spasiq, është kritikuar për shkelje të rregullave të heshtjes zgjedhore gjatë ditës së sotme të votimeve në Kosovë.

Spasiq, sipas raporteve, ka publikuar në profilin e tij në Facebook numrat e disa kandidatëve për deputetë dhe ka bërë thirrje që ata të votohen, veprim i cili bie ndesh me Ligjin Zgjedhor të Kosovës. Sipas këtij ligji, heshtja zgjedhore fillon me hapjen e qendrave të votimit dhe ndalon çdo aktivitet fushatë gjatë ditës së votimit.

Gjithashtu, Lista Serbe ka organizuar votim të koordinuar sot në veri të Mitrovicës, një praktikë që sipas ligjit gjithashtu është e ndaluar.

Spasiq është emëruar më parë nga Qeveria e Serbisë si kryetar i Organit të Përkohshëm Komunal të Komunës së Vitisë. Ai ishte gjithashtu kandidat për kryetar të Komunës së Kllokotit në zgjedhjet lokale, por u tërhoq nga gara në favor të Listës Serbe pak ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve.

Analistët politikë dhe institucionet e Kosovës kanë bërë thirrje për respektim rigoroz të rregullave zgjedhore, duke theksuar se shkeljet e heshtjes zgjedhore mund të ndikojnë në integritetin e procesit demokratik. /Lajmi.net/