​Kamberi: Serbia filloi masa represioni ndaj shqiptarëve, qytetarët e Bujanocit po ndalohen te “Dheu i Bardhë”

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, njëherësh deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë e ka konfirmuar se edhe qytetarët shqiptar nga Bujanoci janë duke u ndaluar në pikën kufitare te “Dheu i bardhë”. Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që…

Lajme

17/04/2024 15:25

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, njëherësh deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë e ka konfirmuar se edhe qytetarët shqiptar nga Bujanoci janë duke u ndaluar në pikën kufitare te “Dheu i bardhë”.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evrpaian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për ‘procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues’”.

Sipas tij të rinj shqiptarë nga Bujanoci, po ndalohen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim.

“Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shqiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë”, tha ai.

Kamberi tha se Serbia, sot po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cenon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut “qarkullimin e lirë”.

Këto masa sipas tij po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE.

“Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti ‘pretendent për BE’”, ka përfunduar ai.