Kamberi padit Brnabiqin për nxitje të urrejtjes fetare dhe racore

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se bashkë me kolegët e tij Ahmedin Shkrijelj dhe Minela Kalender, ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes etnike, fetare dhe racore”. Kjo iniciativë vjen pas deklaratës së Brnabiq në një konferencë…

Lajme

04/08/2025 17:03

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se bashkë me kolegët e tij Ahmedin Shkrijelj dhe Minela Kalender, ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj Kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes etnike, fetare dhe racore”.

Kjo iniciativë vjen pas deklaratës së Brnabiq në një konferencë për shtyp më 30 korrik 2025, ku ajo tha: “atëherë dëgjuam thirrje Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme”, duke iu referuar protestave të mbajtura disa ditë më parë në Novi Pazar.

Sipas Kamberit, gjuha e urrejtjes nuk mund të mbetet vetëm çështje politike apo moraliteti publik – në radhë të parë është çështje ligjshmërie dhe drejtësie.

Ai ka theksuar se fjalia e Brnabiq nuk ishte lapsus apo interpretim i gabuar, por një deklaratë që stigmatizon fenë islame, identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe të komuniteteve të tjera me të njëjtin besim, duke i përbaltur dhe asociuar me “të neveritshmen”, me “rrezikun” dhe me “të huajin” në një shtet që ende nuk është shkëputur nga trauma e nacionalizmit të viteve ’90.

“Kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj znj.Brnabiq për veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, sipas nenit 317 të Kodit Penal të Republikës së Serbisë,” ka theksuar Kamberi.

Kamberi ka shtuar se ky veprim nuk është hakmarrje politike apo sensacionalizëm, por një thirrje për drejtësi dhe përpjekje për të vendosur një precedent – që askush, pavarësisht pozitës apo privilegjit, nuk mund të nënçmojë komunitete të tëra e të banalizojë ndjenjat fetare, pa u përballur me ligjin.

“Drejtësia nuk është privilegj i shumicës. Ajo është mburoja e të drejtave të secilit qytetar – edhe të atyre që e thonë ‘Allahu Ekber’ si shprehje të besimit e jo të dhunës,” përfundoi Kamberi, duke theksuar se shteti i së drejtës duhet të fillojë nga e vërteta dhe përballja me gjuhën që lëndon, ndan dhe poshtëron.