Kamberi: Banka në Serbi po bllokon donacionet nga Kosova për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se banka HalkBank në Serbi po refuzon pa arsyetim donacionet që vijnë nga Kosova për Këshilli Kombëtar Shqiptar. Sipas Kamberit, këto veprime përbëjnë përpjekje për izolim institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për pengim të lidhjeve të tyre me Kosovën. Në një reagim…

Lajme

30/04/2026 13:42

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se banka HalkBank në Serbi po refuzon pa arsyetim donacionet që vijnë nga Kosova për Këshilli Kombëtar Shqiptar.

Sipas Kamberit, këto veprime përbëjnë përpjekje për izolim institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për pengim të lidhjeve të tyre me Kosovën.

Në një reagim në Facebook, ai ka theksuar se për këto bllokime janë informuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë, duke kritikuar reagimin e munguar të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Evropa po hesht përballë shkeljeve të të drejtave të pakicave, të cilat, siç tha ai, përbëjnë një nga themelet e arkitekturës së BE-së.

“Heshtja përballë kësaj padrejtësie nuk është neutralitet; ajo shndërrohet në bashkëfajësi dhe i jep hapësirë vazhdimit të diskriminimit”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj institucioneve ndërkombëtare si BE, OSBE, Këshilli i Evropës, si dhe ndaj ambasadave perëndimore, duke pyetur pse po heshtet për këtë çështje.

Kamberi ka përmendur gjithashtu edhe ambasadën turke, duke ngritur shqetësimin për mungesë reagimi, ndonëse sipas tij bëhet fjalë për një institucion financiar të lidhur me këtë shtet.

Ai ka shtuar se më të prekurit nga kjo situatë janë nxënësit, studentët, mediat, shoqëria civile, bujqit dhe organizatat që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta në Luginën e Preshevës. /Lajmi.net/