“Kallëzimit penal do t’i përgjigjemi me kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm” – MKRS i reagon Komunës së Prishtinës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur kallëzim penal ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj në lidhje me ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. MKRS përmes një komunikate publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se “pretendimet” e kryetarit Përparim Rama,…

Lajme

08/04/2025 17:51

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur kallëzim penal ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj në lidhje me ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

MKRS përmes një komunikate publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se “pretendimet” e kryetarit Përparim Rama, që qeverisja qendrore po i bllokon dhe ndalon projektet kapitale të Komunës së Prishtinës i konsiderojnë të pabaza.

Sipas tyre, Komuna po tenton të paraqesë zbatimin e ligjit si pengesë politike, shkruan lajmi.net.

“Ministria e Kulturës, në vazhdimësi është sfiduar me veprimet e njëanshme të Komunës së Prishtinës, përkatësisht për projektin e sheshit “Xhorxh Bush”, atë të “Ishullit Urban”, Rrugës “Rexhep Luci” dhe projektin te Rruga “Agim Ramadani”. Veprimi i tyre i fundit, ngritja e kallëzimit penal ndaj inspektorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Pajtim Zogaj është formë e presionit ndaj zyrtarëve që zbatojnë ligjin, i pabazuar e tendencioz dhe ky veprim vjen pasi MKRS, me datën 2 prill 2025, ka dorëzuar kërkesën për fillim të hetimeve për fenomenin e ndërhyrjeve pa leje në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës, ku kemi argumentuar shkeljet e rënda që janë bërë në këto projekte”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. 
MKRS gjithashtu ka njoftuar se kallëzimit penal nga Komuna e Prishtinës, do t’i përgjigjen me kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm ndërsa kjo Ministri ka njoftuar sedorëheqja e drejtorit të ITK-së, Imer Hakaj nuk miratohet, kjo pasi sipas tyre, gjithë puna e bërë deri tani është brenda mandatit të tij.
“Ne, konsiderojmë që veprimet e përsëritura, të qëllimshme dhe me paramendim të Komunës së Prishtinës, nuk paraqesin vetëm shkelje procedurale, por kemi dyshime të bazuara për keqpërdorim dhe dëmtim të buxhetit publik. MKRS, poashtu në muajin dhjetor 2024, ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi i njëjti ka lidhur kontratë mbi 6.5 milionë euro, pa leje sipas ligjit për trashëgimi, ka kryer afër 1.5 milionë euro pagesa të paligjshme, dhe ka kontraktuar punë në pronën e dhënë në shfrytëzim afatgjatë për ndërtimin e TOB”, thuhet mes tjerash në komunikatë. 
Në lidhje me këtë rast, MKRS të enjten do të mbaj konferencë për media në orën 11:00 në Ministrinë e Kulturës. /Lajmi.net/ 
Postimi i plotë në Facebook: