Kallëzimet e LDK-së ndaj Kurtit: Juridikisht të bazuara, politikisht të motivuara

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar 17 kallëzime penale kundër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij për mosdorëheqje pas certifikimit si deputetë, duke i akuzuar për shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe përdorim të paligjshëm të funksioneve shtetërore. Rasti është vlerësuar si me bazë për hetime nga juristët, ndërsa analistët e kanë cilësuar edhe…

Lajme

08/05/2025 21:12

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar 17 kallëzime penale kundër kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të tij për mosdorëheqje pas certifikimit si deputetë, duke i akuzuar për shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe përdorim të paligjshëm të funksioneve shtetërore.

Rasti është vlerësuar si me bazë për hetime nga juristët, ndërsa analistët e kanë cilësuar edhe si veprim politik në ndërtimin e narratives së shkeljes së ligjit.

Në FIVE të Dukagjinit, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, theksoi se ekziston bazë e mjaftueshme për hetime penale ndaj zyrtarëve qeveritarë që vazhdojnë të ushtrojnë funksionin pas certifikimit si deputetë.

Shala u shpreh se neni 26 i Ligjit për Qeverinë e përcakton qartë se një anëtar i qeverisë duhet të japë dorëheqje një ditë para certifikimit si deputet dhe nuk mund të ushtrojë dy funksione njëkohësisht.

“Ka bazë të mjaftueshme për hetime, në mënyrë që të vërtetohet saktë .se ka një lloj dallimi në mes të dispozitave, të cilat përcaktohet me kodin penal dhe kësaj dispozite, mirëpo kjo është e qartë nen 26 i Ligjit për Qeverinë, është bazë e mjaftueshëm për ta vërtetuar se këta si kryeministri e ministrat apo zëvendësministra, që janë duke e ushtruar detyrën, meqë kjo dispozitë, ndeni 26 e ka përcaktuar saktë se nuk bën më ushtru detyrën edhe të ministrit, edhe pse është në dorëheqje”, ka thënë Shala.

Ndërkohë, analisti politik Adrian Zeqiri vlerësoi se kjo nismë e LDK-së nuk është vetëm një akt juridik, por edhe një veprim i qëllimshëm politik.

Sipas tij, kallëzimet penale po shërbejnë si mjet për të ndërtuar narrativen politike rreth shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Është edhe aktit politik përveç se një akti juridik. Është duke u munduar të ndërtohet narrativa edhe prej partive në opozitë edhe prej VV-së, si parti e parë, të nderohet se kush është duke u shkel ligjin, kush është duke shkel Kushtetutën e kështu me radhë. Mendoj se ky kallëzim penal i ndihmon në ndërtimin e kësaj narrative për shkelësit ligjore ose kushtetuese”, ka thënë Zeqiri.