Kali i Trojës brenda Institucioneve të Kosovës

Rexhep Selimi thotë se marrëveshja për strukturat paralele ka pasur si qëllim kthimin e institucioneve serbe brenda Institucioneve të Kosovës. Shuarja e këtyre strukturave, sipas tij, ka qenë një fushatë për t'i lënë qytetarët të shpresojnë.

Lajme

02/02/2014 18:00

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për strukturat paralele nuk ka pasur qëllim që t`i shuajë ato, por që t`i kthejë brenda institucioneve të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, këto deklarata i bëri në kohën kur Beogradi zyrtar nuk është duke treguar vullnet për shuarjen në tërësi të strukturave paralele.

Pavarësisht  se në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka nisur integrimi i ish- pjesëtarëve të MUP`it serb në Policinë e Kosovës, formacioni “Mbrojtja Civile”, i cili po ashtu është pjesë e strukturave ilegale, nuk ka pushuar ende së funksionuari.

Duke folur për lajmi.net, Rexhep Selimi shprehet se brenda kësaj marrëveshjeje nuk ka asgjë të rastësishme.

Sipas tij, Serbia është menduar mirë para se ta nënshkruajë marrëveshjen.

“Nëse i referohemi marrëveshjes, së  ashtuquajtur Marrëveshja e Prillit, aty përfshihen 15 pikat e dakorduara në mes të Thaçit dhe Dacicit. Në fakt kjo marrëveshje nuk thotë për shuarjen e institucioneve në Veri, por thotë që institucionet e sigurisë në Veri do të kenë vend relevant brenda Institucioneve të Kosovës”.

“Edhe më herët është ngritur çështja se çka do të ndodhë me Mbrojtjen Civile, për shkak se Kosova nuk e ka njësinë relevante. Por, mendoj se brenda kësaj marrëveshjeje nuk ka asgjë të rastësishme”.

“Në atë marrëveshje goxha shumë është menduar Serbia derisa e ka pranuar dhe ia ka arritur që institucionet që i ka atje, duke përfshirë Policinë, BIA’në, Mbrojtjen Civile, do t’i ketë nesër jo të integruar, por do t’i ketë si Kali i Trojës brenda Institucioneve të Kosovës”.

“Me policinë e ka vënë hapin e parë, me BIA`në nuk e di deri ku, ndërsa po presin se çfarë duhet të bëhet me Mbrojtjen Civile. Kështu që, kjo marrëveshje e lë të hapur që nesër mund të ketë institucione të ngjashme brenda Kosovës, që Mbrojtja Civile të shkrihet ose të futet brenda një institucioni tjetër”.

“Pra Marrëveshja nuk ka qenë në mes Kosovës dhe Serbisë për t`i shuar, por për t`i kthyer institucionet e Serbisë në institucionet e Kosovës, gjë që nuk është arritur akoma”.

Deklaratat e zyrtarëve të lartë kosovarë se të gjitha strukturat paralele do të pushojnë së funksionuari, në muajin shtator, sipas Rexhep Selimit kanë qenë vetëm fushatë.

“Është proklamuar që në shtator do të shkrihen strukturat paralele, por ka qenë një fushatë ose tentim për kompenzim të brendshëm në Kosovë, për t`i lënë qytetarët e Kosovës që të shpresojnë. Pra,  nuk  ka qenë dakordim mes dy palëve. Kjo ka qenë më shumë dëshirë e njërës anë”.

Pavarësisht arritjes së marrëveshjes për shuarjen e strukturave paralele, as Kryeministrit i Kosovës, Hashim Thaçi dhe as Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, që nga data 30 shtator, kur edhe është dashur të pushojnë së funksionuari këto struktura, nuk i kanë raportuar asnjëherë Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.

Për Selimin, kjo qasje nuk duket befasuese. Ai  thotë se  Kryeministri Thaçi nuk i ka raportuar as Kuvendit, e as Komisionit ku bën pjesë ai.

“Sidoqoftë, jo që para Komisionit tonë nuk ka raportuar Kryeministri apo Ministri për këtë çështje, por Kryeministri nuk ka raportuar as para Kuvendit të Kosovës”.

“Edhe vetë ratifikimi ka ndodhur për marrëveshjet që do të pasojnë, jo për marrëveshjet e arritura. Kjo ndodh vetëm në Institucionet e Kosovës, siç është Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti, pra kjo nuk do të duhej të ndodhte që të ratifikoheshin marrëveshje që nuk janë arritur akoma”.

Mbrojtja Civile në Veri të Kosovës është një organizim i serbëve të atjeshëm, në kuadër të strukturave paralele që financohen nga Serbia.