Kah po i drejton projektet Shpejtim Bulliqi – Auditori gjen numër të madh dallaveresh me tenderë nga Komuna e Podujevës
Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar një sërë parregullsish në procedurat e prokurimit publik në Komunën e Podujevës, të udhëhequr nga kryetari Shpejtim Bulliqi. Sipas gjetjeve të auditorëve, në disa raste janë konstatuar mospërputhje mes kritereve të kërkuara në dosjet e tenderëve dhe dokumentacionit të dorëzuar nga operatorët ekonomikë fitues. Në njërin prej projekteve për…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar një sërë parregullsish në procedurat e prokurimit publik në Komunën e Podujevës, të udhëhequr nga kryetari Shpejtim Bulliqi.
Sipas gjetjeve të auditorëve, në disa raste janë konstatuar mospërputhje mes kritereve të kërkuara në dosjet e tenderëve dhe dokumentacionit të dorëzuar nga operatorët ekonomikë fitues.
Në njërin prej projekteve për rregullimin e infrastrukturës së varrezave të qytetit, me vlerë 1 milion e 155 mijë euro, është vërejtur se operatori fitues nuk kishte dorëzuar dokumentin e kërkuar për qarkullimin vjetor nga ATK në shumën e përcaktuar, megjithatë kishte fituar tenderin.

Po ashtu, në një projekt tjetër për ndërtimin e parkut industrial bujqësor në Sfeqël, me vlerë 1 milion e 356 mijë euro, është evidentuar se operatori ekonomik kishte dorëzuar një certifikatë të ndryshme nga ajo e kërkuara në kriteret e tenderit, por megjithatë ishte shpallur fitues.
Gjetje të ngjashme janë evidentuar edhe në projektin për ndërtimin e kuzhinës qendrore për fëmijë në çerdhe dhe shkolla në Podujevë, me vlerë 698 mijë euro, ku është konstatuar mospërputhje me standardet e kërkuara në dokumentacion.

ZKA ka theksuar gjithashtu se në disa raste vlerat përfundimtare të kontratave kanë tejkaluar dukshëm planifikimet fillestare buxhetore të komunës.
Sipas raportit, për të gjitha këto gjetje, komuna i është përgjigjur auditimit me deklarimin “Pajtohemi”.
Auditori ka vlerësuar se këto parregullsi kanë ndikuar në transparencën, barazinë dhe efikasitetin e proceseve të prokurimit publik, ndërsa raporti është pranuar nga komuna më 20 maj 2026./Lajmi.net/