Kadrijaj viziton vendin ku ishte baza e brigadës 138 “Agim Ramadani”: Prej këtu jap mesazhin se liria e pavarësia e Kosovës kanë rrënjët në gjakun e dëshmorëve

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka vizituar Padeshin, vendin ku gjatë luftës ishte e vendosur baza e Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kadrijaj tha se rikthimi në këto vende e ktheu pas në kohë, duke kujtuar sakrificat dhe vështirësitë që u përjetuan deri në arritjen e…

Lajme

18/07/2026 21:06

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka vizituar Padeshin, vendin ku gjatë luftës ishte e vendosur baza e Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kadrijaj tha se rikthimi në këto vende e ktheu pas në kohë, duke kujtuar sakrificat dhe vështirësitë që u përjetuan deri në arritjen e lirisë së Kosovës.

Ajo tregoi se vizitoi vendet ku luftëtarët e UÇK-së kishin qëndruar, ishin strehuar dhe kishin mjekuar të plagosurit, ndërsa takoi edhe bashkëluftëtarë dhe familje që kishin ndihmuar ushtarët gjatë luftës.

Kadrijaj veçoi lëndinën ku, sipas saj, avionët serbë kishin kryer sulme, duke lënë të vrarë e të plagosur shumë ushtarë, si dhe shtëpinë e Hamdiut (Balit), ku ishin strehuar mjekët deri në përfundimin e luftës.

“Aty ku ka qenë shtabi tash ishin veq disa mure të rrënuara. Vazhduam te kufiri tek shtëpia e Sadikut ku u pritëm nga nëna Feride e Arben Hajdinaj. Nga këtu shifet kompleksi memorial i dëshmorëve të Koshares, nga aty shifen fshatrat e Dukagjinit që në kohë lufte digjeshin nga forcat serbe, e në kokën tonë sillej një pyetje, kur do ktheheshim përsëri në votrat tona” shkroi Kadrijaj.

Ky është postimi i plotë i saj:

Sot në Padeshin e historisë, ku ishte baza e Brigatës 138 Agim

Ramadani. Duke parë këto vende u ktheva prapa në kohë, duke thënë sa e rëndë dhe e vështirë ka qenë për të mbërri deri tek liria.

I vizitova me radhe vendet ku kemi qëndruar,  ku jemi strehuar, ku kemi mjekuar të plagosurit .

Takova njerëz të mirë, luftëtar të zot, e gra që u kujdesën për ne.

Në fillim u ndala ne lëndinen ku aroplanët serb sulmuan e ku u vranë e u plagosën shumë ushtar.  Shtëpia e Balit ( Hamdiut) ku u strehuam mjekët e aty qëndruam deri në çlirim.  Shtëpia e vogël që u shëndrrua në ambulantë. E shumë emocion më dha shtëpia e nanës Ajshe Lataj, aty ku na u ofrua strehë e përkrahje.

Mu duk se dëgjoja zërin e saj, ,qika jeme tu paska ba uniforma me gjak. Eja pastrohu e nana ti pastron rrobat e ti ktheju punës.

Aty ku ka qenë shtabi tash ishin veq disa mure të rrënuara. Vazhduam te kufiri tek shtëpia e Sadikut ku u pritëm nga nëna Feride e Arben Hajdinaj. Nga këtu shifet kompleksi memorial i dëshmorëve të Koshares, nga aty shifen fshatrat e Dukagjinit  që në kohë lufte digjeshin nga forcat serbe, e në kokën tonë sillej një pyetje, kur do ktheheshim përsëri në votrat tona.

Emocion, krenari dhe respekt ndjenja të perziera dhe nostalgji për periudhen e lavdisë.

Falënderues për mëmën Shqipëri që ishin krah nesh në këto ditë.

Bashkë jemi më të fortë, e prej këtu jap mesazhin se liria e pavarësia e Kosovës kanë rrënjët në gjakun e dëshmorëve.

UÇK-ja krenaria jonë!