Kadrijaj: Qëndrimi ynë është i njëjtë, s’e votojmë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj deklaroi se qëndrimi i kësaj partie nuk ka ndryshuar sa i përket votimit të kryeparlamentarit. Ajo tha se nuk janë të informuar nëse sërish sot propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë emri i Albulena Haxhiut. Para fillimit të seancës – tentativës së shtatë për…

Lajme

27/04/2025 09:37

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj deklaroi se qëndrimi i kësaj partie nuk ka ndryshuar sa i përket votimit të kryeparlamentarit. Ajo tha se nuk janë të informuar nëse sërish sot propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë emri i Albulena Haxhiut.

Para fillimit të seancës – tentativës së shtatë për konstitutimin e plotë të legjislaturës së nëntë, Kadrijaj u shpreh se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga LVV-ja për takim konsultativ.

“Ne nuk po presim asgjë, s’kemi pasur asnjë ftesë sikur kanë aluduar në fillimet e para se duhet të koordinohet, gjë që nuk duhet me u koordinu. Kjo shumica duhet t’i ketë votat, kjo klasë politike duhet të angazhohet që tenton ta marrë qeverinë, duhet të angazhohet që të sigurojë shumicën e thjesht prej 61 votave. Ne nuk kemi parë ndonjë angazhim, së paku se kemi parë publikisht, nuk kemi pasur ndonjë ftesë. Nuk e dimë a do të jetë kandidati i njëjtë apo do të ndryshojë, megjithatë qëndrimi jonë është i njëjtë nuk do ta votojmë kandidaten për kryeparlamentare”, deklaroi Kadrijaj.

Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të fillojë në orën 10:00. Kjo është tentativa e pestë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ku katër herë radhazi ka dështuar të zgjedhet propozimi i LVV-së, Albulena Haxhiu.