Kadri Veseli thotë se Jabllanoviqi duhet të largohej nga qeveria (Video)

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, indirekt ka thënë se ministri i Kthimit në qeverinë e Kosovës, pas fyerjeve ndaj viktimave të luftës, do të duhej të largohej nga Qeveria. 

Lajme

26/01/2015 13:22

Veseli i pyetur nga gazetarët për kërkesën e opozitës për largimin e ministrit Jabllanoviq nga Qeveria, sot pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se sikur ai personalisht të fyente serbët, nuk do të qëndronte as dy ditë në postin që mban.

“Unë e konsideroj se nuk do të isha Kryetar i Kuvendit as dy ditë, në qoftë se do të bëja fyerje për komunitetin serb. As dy ditë nuk do të qëndroja në këtë pozicion në të cilin jam”, ka thënë Veseli, duke lënë të nënkuptohet se Jabllanoviq, duhet të largohet nga Qeveria, pas fyerjeve që u bëri nënave gjakovare të cilat humbën fëmijët e tyre në luftën e fundit në Kosovë. 

Veseli ka folur edhe seancën e radhës së Kuvendit të Kosovës, duke bërë të ditur se këtë të enjte nuk do të ketë seancë, pasi nuk kanë marrë agjendë nga qeveria apo komisionet parlamentare. (lajmi.net)