Kadri Veseli kërkoi lirim të përkohshëm, Kryeprokurorja thotë të mbetet në paraburgim: Gjyqi final është më 16 shtator

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Kadri Veseli të mbetet në paraburgim, duke kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për lirim të përkohshëm. Në parashtresën e saj, kryeprokurorja Kimberly West argumenton se ende ekzistojnë rreziqe që justifikojnë vazhdimin e masës së paraburgimit, raporton lajmi.net Sipas Prokurorisë, një ndër arsyet kryesore mbetet rreziku i ndikimit ose…

Lajme

16/07/2026 13:06

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Kadri Veseli të mbetet në paraburgim, duke kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për lirim të përkohshëm.

Në parashtresën e saj, kryeprokurorja Kimberly West argumenton se ende ekzistojnë rreziqe që justifikojnë vazhdimin e masës së paraburgimit, raporton lajmi.net

Sipas Prokurorisë, një ndër arsyet kryesore mbetet rreziku i ndikimit ose frikësimit të dëshmitarëve.

Në dokument përmendet edhe fakti se shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë është caktuar për 16 shtator 2026, por theksohet se kjo nuk përbën arsye për ndryshimin e masës së sigurisë.

“Së fundi, caktimi i shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026 nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të kërkonte rivlerësimin e vazhdimit të paraburgimit të Veselit ose që do ta bënte atë joproporcional. Përkundrazi, kjo konfirmon se paraburgimi do të vazhdojë vetëm edhe për një periudhë të kufizuar prej dy muajsh, aq sa konsiderohet rreptësisht e nevojshme duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes, si dhe rëndësinë e akuzave të konfirmuara. Duke marrë parasysh: (i) klimën e vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, si dhe vëmendjen e shtuar publike për shkak të afrimit të shpalljes së aktgjykimit; (ii) rreziqet e vazhdueshme që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale, të cilat janë trajtuar më sipër; (iii) pamundësinë që masat alternative ndaj paraburgimit t’i neutralizojnë këto rreziqe; dhe (iv) rrethanat specifike të çështjes, të cilat Trupi Gjykues i ka identifikuar edhe më herët, periudha e mbetur tashmë e kufizuar e paraburgimit nuk e bën atë joproporcional”, thuhet në letrën e West./Lajmi.net/

Kadri Veseli po gjykohet në Hagë së bashku me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Në deklaratën përmbyllëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e secilit prej tyre me nga 45 vjet burgim, ndërkaq trupi gjykues ka caktuar shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit./Lajmi.net/