Kadri Kryeziu kundër financimit të OJQ-ve: Kosova duhet të ndjekë shembullin e Trump
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj ndarjes së fondeve publike për organizatat joqeveritare. Në një postim në Facebook, ai e quajti këtë praktikë të dëmshme dhe kërkoi që Kosova të ndjekë modelin e Presidentit Trump duke ndërprerë financimin për OJQ-të. “Paratë e taksapaguesve nuk duhet të përdoren për projekte me fatura…

Lajme
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj ndarjes së fondeve publike për organizatat joqeveritare.
Në një postim në Facebook, ai e quajti këtë praktikë të dëmshme dhe kërkoi që Kosova të ndjekë modelin e Presidentit Trump duke ndërprerë financimin për OJQ-të.
“Paratë e taksapaguesve nuk duhet të përdoren për projekte me fatura të fryra dhe rroga fiktive”, tha Kryeziu, duke shtuar se shumë përfitues jetojnë në luks dhe nuk japin llogari për fondet që marrin. Ai kërkoi auditim dhe kontroll të rreptë për çdo organizatë që përfiton nga buxheti i shtetit.
Postimi i plotë:
Tani që më në fund do të pushojmë pak nga mbledhjet absurde të Kuvendit çdo 48 orë, dua t’i them dy fjalë për OJQ-të që marrin financim nga fondet publike. Marr shkas nga kontraverza e fundit lidhur me ndarjen e fondeve publike për projekte të shoqërisë civile.
Në vlera civile, unë jam konzervator dhe besoj fuqishëm në disiplinë maksimale fiskale. Konsideroj që Kosova duhet të ndjekë politikën e Presidentit Trump në raport me organizatat e shoqërisë civile dhe ta ndërpres financimin e projekteve të tyre.
Paratë e taksapaguesve nuk duhet të shkojnë për financimin e projekteve me fatura të fryra shpenzimesh dhe me rroga fiktive. Jo pak nga përfituesit e parave të taksapaguesve jetojnë në luks sikur të ishin biznesmen të mëdhenj. Pse paratë tona duhet ta financojnë luksin e jetës së tyre?
Duhet bërë një hulumtim dhe vlerësim të detajuar për të parë sa miliona euro janë derdhur ndër vite te këto organizata. Po ashtu duhet vlerësuar saktë se cila është dobia publike nga këto projekte. Nëse kemi institucione publike që i kryejnë ato aktivitete, pse duhet të financojmë organizata që bëjnë projekte paralele?
Paratë e taksapaguesve duhet të shkojnë vetëm në financimin e institucioneve publike që kanë detyrim ligjor t’i nënshtrohen auditimit dhe kontrollit. Projektet e OJQ-ve që marrin para nga buxheti nuk i nënshtrohen asnjë auditimi dhe kontrolli publik. Kjo është absurde. Nëse marrin para nga buxheti duhet t’i nënshtrohen auditimit dhe kontrollit publik.
Presidenti Trump ka shumë të drejtë kur konstaton që shumëçka në punën e këtyre organizatave e cenon interesin shtetëror dhe publik. Kosova nuk është përjashtim./Lajmi.net/