Kadeti policor arrestohet për dhunimin e të miturës së humbur, familja thoshte se ajo ishte gjetur “shëndosh e mirë”

Policia e Kosovës ka vënë nën pranga një kadet policor, nën dyshimin për dhunimin e një të miture. Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Inspektorati Policor i Kosovës. Nga IPK kanë bërë të ditur se hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar nga Policia në lidhje me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë…

Lajme

02/07/2024 13:42

Policia e Kosovës ka vënë nën pranga një kadet policor, nën dyshimin për dhunimin e një të miture.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Nga IPK kanë bërë të ditur se hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar nga Policia në lidhje me këtë rast.

Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në stacionin policor në Lipjan dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit , pra prokurori kujdestar.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në Stacionin Policor Lipjan DRP-Prishtinë, dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit (prokurori kujdestar). Pas prezantimit të të gjeturave të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadet policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Dhunimi” nga neni 277 të KPRK-së”, thuhet tutje në përgjigje.

Po ashtu është thënë se në lidhje me rastin si pjesë e procedurave janë njoftuar edhe AKSP dhe Policia e Kosovës.

Por situata ka shkuar edhe më tej, pasi siç mëson Lajmi.net rasti i dhunimit ka të bëjë me një vajzë të mitur e cila së fundi është raportuar si e zhdukur.

Çka kishte ndodhur?

Me datën 30 qershor rreth orës 21:15 në stacionin policor në Lipjan, një mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia.

PERSON I ZHDUKUR=Fsh. Konjuh, Lipjan  30.06.2024-21:15. Një mashkull kosovar, ka raportuar se  vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti vazhdon të hetohet”.

Rasti për zhdukjen e vajzës është raportuar nga babai i saj.

Pas raportimit për zhdukje, sipas informatave të para viktima mbrëmë me datë 01.07.2024 ka shkuar në stacion policor dhe e njëjta ka raportuar rastin e dhunimit.

Gjithashtu ndaj të njëjtës janë bërë edhe ekzaminimet mjekësorë, kurse i dyshuari është dërguar në ndalim.

Në lidhje me rastin e të zhdukurës në fjalë, lajmi.net ka kontaktuar familjarët të cilët konfirmuan se vajza është gjetur, por sipas tyre ajo është “Shëndosh e mirë”.

“Vajza është gjetë. Ka qenë te një shoqe por ne se kemi ditë, pastaj është gjetë. Jo mirë është as doktor as kurgjo”.

I pyetur në këtë rast për raportimet e mediave në lidhje me dyshimet për dhunim të së miturës i lartpërmenduri tha se “Mos më thirrni më për këtë temë”.

Rasti në fjalë po vazhdon të hetohet nga organet kompetente deri në zbulimin e asaj se çfarë në të vërtetë ndodhi./Lajmi.net/