Kabashi-Ramaj akuzon Kurtin për “normalitet të inskenuar” dhe keqpërdorim të institucioneve të sigurisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të “mos i keqpërdorë institucionet e sigurisë për të inskenuar normalitet në këtë situatë krize politike, të shkaktuar nga vetë ai”. Kabashi-Ramaj, në një konferencë për media, kritikoi ashpër Kurtin, i cili sot mori pjesë në ceremoninë së…

Lajme

14/08/2026 16:40

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të “mos i keqpërdorë institucionet e sigurisë për të inskenuar normalitet në këtë situatë krize politike, të shkaktuar nga vetë ai”.

Kabashi-Ramaj, në një konferencë për media, kritikoi ashpër Kurtin, i cili sot mori pjesë në ceremoninë së diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues, duke thënë se ai dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes po i ushtrojnë funksionet e tyre kundërligjshëm.

“Kemi një situatë të paprecedentë edhe në Presidencë, me pasoja të drejtpërdrejta për zinxhirin kushtetues të komandimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Personi që e mban pozitën e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura e mban atë pozitë kundërligjshëm! Kjo nuk është normalitet. Kjo është krizë institucionale. Dhe pikërisht në këtë moment, Albin Kurti po përpiqet të prodhojë një fotografi të normalitetit. Sot e bëri këtë përmes ceremonisë së diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues. Doli para tyre. Para uniformave. Para kamerave. Dhe u tha: “Kosova ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush. Po, Kurti. Kosova ka nevojë për ta. Por mos i përdorni ata për të krijuar përshtypjen se gjithçka është normale në një shtet, institucionet e të cilit ju vetë po refuzoni t’i funksionalizoni. Mos e përdorni uniformën për të normalizuar krizën”, shtoi ajo.

Kabashi-Ramaj i bëri thirrje Kurtit dhe LVV-së që të shkojnë në Kuvend për ta mundësuar konstituimin e këtij institucioni, duke thënë se nuk mund të normalizohet shkelja e Kushtetutës me ceremoni dhe me keqpërdorim të uniformave të institucioneve të sigurisë.

“Nuk normalizohet shkelja e Kushtetutës me ceremoni. Nuk krijohet legjitimitet me fotografi. Dhe nuk mund të silleni si Kryeministër i një shteti që funksionon normalisht, ndërkohë që Kuvendi i Republikës së Kosovës pret të konstituohet. Nëse vërtet ju interesojnë institucionet dhe e ardhmja e këtij vendi, atëherë vendi ku duhet të jeni sot është Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ejani në Kuvend. Mundësoni konstituimin e tij. Lejoni krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale. Mjaft është mjaft. Mjaft me normalitet të inskenuar. Mjaft me përdorimin politik të institucioneve të sigurisë. Mjaft me propagandë e mashtrim”, tha ajo.

Kabashi-Ramaj theksoi se policët kanë nevojë për sigurim shëndetësor, për sigurim jetësor, për paga, kushte, pajisje dhe dinjitet, për një shtet që kujdeset për familjet e tyre nëse humbin jetën duke i shërbyer Republikës.

“Sot dolët para Shërbimit Korrektues. Uniforma nuk është skenografi politike. Policia nuk është e Kurtit. Ushtria nuk është e Kurtit. Shërbimi Korrektues nuk është i Kurtit. Janë institucione të Republikës së Kosovës. Dhe respekti për këta njerëz nuk matet me fotografi e ceremoni. Matet me mënyrën se si i trajton shteti. Vetëm pak muaj më parë, ne kërkuam sigurim shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, përfshirë edhe Shërbimin Korrektues. E kërkuam më shumë se një herë. Dhe shumica juaj, Vetëvendosja, e refuzoi. Policëve tanë u kërkojmë ta rrezikojnë jetën për Kosovën, ndërsa pas një karriere në shërbim përballen me pensione rreth 150 euro”, tha ajo.