“Ka qenë diçka private…” Sekretari i Bashkësisë Islame në Gorë flet për vrasjen që ndodhi mbrëmë, kërkon dënimin e autorit
Sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) për Rajonin e Gorës, Ajhan Beqiri, ka reaguar pas vrasjes së imamit Gazmend Tahirovci në fshatin Zlipotok të Dragashit, duke thënë se personi përgjegjës për këtë vepër duhet të përballet me drejtësinë. Në një deklaratë për lajmi.net, Beqiri e ka cilësuar rastin si një fatkeqësi, ndërsa ka bërë…
Lajme
Sekretari i Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) për Rajonin e Gorës, Ajhan Beqiri, ka reaguar pas vrasjes së imamit Gazmend Tahirovci në fshatin Zlipotok të Dragashit, duke thënë se personi përgjegjës për këtë vepër duhet të përballet me drejtësinë.
Në një deklaratë për lajmi.net, Beqiri e ka cilësuar rastin si një fatkeqësi, ndërsa ka bërë të ditur se, sipas bisedave që ka pasur me familjarët e viktimës, dyshohet se ngjarja ka qenë e natyrës private.
“Është fatkeqësi ajo që ka ndodhur. Mesa kam biseduar me familjarët, ka qenë diçka private, por personi i cili e ka kryer këtë vepër me të vërtetë duhet të dalë para organeve kompetente dhe të marrë dënimin e merituar”, ka deklaruar Beqiri për lajmi.net.
Vrasja e imamit ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok, ku 47-vjeçari Gazmend Tahirovci dyshohet se u godit me një mjet të mprehtë gjatë një përleshjeje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari për këtë rast është arrestuar pas një operacioni intensiv operativo-hetimor. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, në aksionin për lokalizimin dhe arrestimin e tij janë angazhuar njësi të ndryshme policore, përfshirë dronë për vëzhgim nga ajri dhe njësinë K-9.
“I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku ndaj tij do të vazhdojnë procedurat e mëtejme hetimore në koordinim me prokurorin përgjegjës”, ka deklaruar Bytyqi.
Ngjarja u raportua mbrëmë rreth orës 23:15, kur policia u njoftua për një konflikt mes disa personave në Zlipotok. Në vendin e ngjarjes, viktima u gjet i shtrirë me lëndime që dyshohet se i ishin shkaktuar me thikë, ndërsa ekipi mjekësor i QKMF-së në Dragash konstatoi vdekjen e tij.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar. /Lajmi.net/