Jovanka, nga lavdia në izolim

Për Broz, e cila vdiq të dielën në Beograd në moshën 88 vjeçare, ditët e lavdisë përfunduan menjëherë pas vdekjes së Josip Broz Tito’s në 1980 kur aleatët e akuzuan atë se po përgatiste një puç.

Lajme

21/10/2013 10:21

Jovanka Broz, dikur simbol i elegancës si gruaja e njeriut të fortë të Jugosllavisë komuniste, jetoi tri dekadat e fundit të jetës së saj si e harruar.

Për Broz, e cila vdiq të dielën në Beograd në moshën 88 vjeçare, ditët e lavdisë përfunduan menjëherë pas vdekjes së Josip Broz Tito’s në 1980 kur aleatët e akuzuan atë se po përgatiste një puç.

“Ata më përzunë… isha e veshur me këmishë nate, pa mundur të marr asgjë, pa më lejuar madje të marr edhe një fotografi të vetme tonën, qoftë edhe një letër, apo një libër”, thoshte Broz në një intervistë të vitit 2009.

“Që nga atëherë unë mbetem e izoluar dhe e trajtuar si kriminele… Nuk mund të dal nga shtëpia pa roje të armatosur”, i tha ajo të përditshmes beogradase Politika.

Paraqitja e fundit publike e Jovanka Broz ishte funerali i Titos në maj të vitit 1980.

E lindur në një familje fshatare në Kroacinë e sotme më 7 dhjetor 1924, ajo iu bashkua luftëtarëve të rezistencës jugosllave të Luftës së Dytë Botërore nën komandën e Titos në moshën 17 vjeçare dhe mbeti në radhët e saj deri në fund të luftës, duke marrë gradën e kapitenes.

Kur Jugosllavia filloi t’i kthejë shpinën aleatit të saj të luftës, Rusisë nën regjimin e Stalinit, Jovanka u emërua sekretare e Titos në vitin 1948.

Data e martesës së tyre mbetet e paqartë, siç mbeten të paqarta edhe shumë detaje të jetës private të Titos. Disa biografë e vendosin atë në vitin 1952. Ajo ishte gruaja e tretë e Titos, i cili ishte për 31 vjet eprori i saj.

Me flokët e saj të shpeshta e të zeza korb, gjithmonë të lidhura mbrapa, Broz u bë shpejt një simbol i elegancës në vendin e varfëruar nga lufta, me liderët komunistë të fokusuar në forcimin e shtetit të ri jugosllav.

Shpesh e përshkruar si “Zonja e Parë e Lëvizjes së të Pa Inkuadruarve”- një grup shtetesh që evokonin kursin e mesëm për shtetet në zhvillim ndërmjet blloqeve të lindjes dhe perëndimit, i themeluar nga Tito dher liderët e Indisë, Indonezisë, Granës dhe Egjiptit- ajo udhëtoi në mbarë botën me burrin e saj.

Jovanka dhe Tito ishin që të dy adhurues të filmit, dhe kanë darkuar bashkë me Elisabeth Taylor dhe Richard Burton, në mesin e shumë yjeve botërorë të filmit, në Jugosllavi gjatë viteve 1960.

Çifti shpesh kalonte netët në kinemanë e tyre private në rezidencën presidenciale, një shtëpi verore e familjes së dikurshme mbretërore jugosllave, e cila e kishte të ndaluar kthimin në Jugosllavi pas luftës.

Jovanka fliste shumë rrallë në publik, me sa duket duke qenë e kënaqur me të qenit zonjë e parë, e pandarë nga burri i saj në ekskursionet e tyre të shumta, duke lundruar shpesh në rezidencën e tyre verore në ishullin e Brioneve në bordin e jahtit zyrtar.

Por marrëdhëniet mes Jovankës dhe Titos, një adhurues i njohur i femrave, filluan të prishen në fund të viteve 1970.

Në vitin 1979, Tito, atëherë 87 vjeçar, u tërhoq nga sytë e publikut.

Aleatët e tij të fuqishëm u kujdesën për gruan e tij, duke e vendosur atë në një arrest virtual shtëpiak dhe duke ia konfiskuar dokumentet e identitetit.

“Ata tentuan të më përdorin mua për t’i qëruar hesapet me Tito’n, duke më akuzuar mua se po përgatis puç kundër tij”, i tha ajo gazetës “Vecernje Novosti” në muajin shkurt.

“Ata ishin të zotë të na ndanin dhe të na izolonin të dy neve, Tito’n dhe mua, dhe pastaj të bënin çkado që donin”, tha ajo, por pa përmendur emra.

“Ajo që i frikëson ata është se unë isha me Tito’n gjatë tërë kohës dhe kam parë shumë, sidomos gjatë viteve para ndekjes së tij”, shtoi ajo.

Edhe pse ata dy asnjëherë nuk janë divorcuar, ajo u largua nga shtëpia luksoze pas vdekjes së Tito’s në maj të vitit 1980.

Ajo dhe trashëgimtarët tjerë të Tito’s iniciuan një procedurë trashëgimie, edhe pse shumë e patundshmërisë së tyre asnjëherë nuk është bërë publike dhe ankesat ende janë në shqyrtim.

Jovanka Broz fitoi një pension shtetëror në vitin 2009. (AFP)