(Jo)Negociata, Vetëvendosje

Shkruan: Ridvan Emini

Opinion

12/12/2019 21:07

Qëllimi bazë i negocimit është që pala e cila e ka përparësinë në negocim ta bind palën tjetër se propozimet dhe qëndrimet e saja janë të drejta dhe të arsyeshme dhe se duhet t’i pranojë ato.

Shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës të mbajnë shumë takime për të arritur një koalicion parazgjedhor kundrejt partive të tjera të cilat ishin në pushtet deri atëherë e që njiheshin me emrin PAN. Të gjitha takimet para 6 tetorit, në mes të këtyre dy subjekteve politike shkuan huq, pasi që nuk arritën të krijojnë një koalicion. Por, premtimi i këtyre dy partive ishte që pas zgjedhjeve do të krijojnë një Qeveri dhe se do të gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre.

Madje, lideri i LVV-së z.Albin Kurti kishte premtuar se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, jo më shumë se 100 orë do të arrihet koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së. Diçka nuk shkoi ashtu siç kishte pandehur z.Kurti! Ndodhi e papritura, premtimi i dhënë qytetarëve doli të jetë i rremë.

“Korrektësia” dhe “arsyeshmëria” e propozimeve të tij dolën të jenë të pavlefshme për LDK-në, pasi që ato ishin relative me që pandehej nga LVV se ishin fitues të zgjedhjeve. Pra, LDK për këtë nuk e ka domosdoshmërish të njëjtin mendim.

Në këtë rast LVV-së i nevojitej një shkathtësi të veçantë që ta bindin LDK-në për t’i pranuar qëndrimet tyre, por doli krejtësisht e kundërta, LDK ishte në ‘ofensivë’ pasi që LVV nuk pranonte kërkesën e tyre për pozitën e Presidentit dhe për Ministrin e Punëve të Brendshme. Mos aftësia që ta bind LDK-në, bënë që LVV të duket e papërvojë në negocim dhe rrjedhimisht të paaftë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.

Pra, vërehet se LVV-së i mungon strategjia dhe taktika e negocimit, gjë që nuk është hera e parë që vihet në pah një gjë e tillë si në rastin e VLAN-it po ashtu edhe në pamundësinë për të arritur një koalicion parazgjedhor para 6 tetorit.

Por, LDK duket se e ka përvetësuar më mirë këtë shkathtësi dhe ka prirje të natyrshme, andaj konsideroj se do të jetë negociator më i mirë se sa LVV.

Nëse dimë të negociojmë, do të mund t’i realizojmë objektivat tona, ngase do të dimë që ato t’i prezantojmë ashtu që të jenë të pranueshme për ata me të cilët negociojmë. Andaj, palët vazhdimisht duhet t’i harmonizojnë kërkesat dhe interesat e veta me rrethin e vet dhe në këtë mënyrë, zhvillojnë negociata, edhe pse për këtë shpeshherë as që janë të vetëdijshëm.

Rezultati i negociatave nuk është i paracaktuar, por varet nga një sërë faktorësh. Këtë, z.Kurti nuk e mendon kështu, meqë ai mendon se rezultati i negociatave duhet të jetë ashtu siç e ka paracaktuar ai (të shkruar në shabllonin e tij) dhe vetëm ashtu, pra, ai e ka logjikën ose-ose, ndërsa negociatat e kanë logjikën edhe-edhe.

Lëvizja Vetëvendosje konsideroj se e ka humbur edhe një teren, kur ka menduar se negociatat nga tabori i LDK-së duhet t’i udhëheq znj.Vjosa Osmani. Këtu është shpresuar se do të ketë sukses ‘koalicioni i shpresës’ meqë ka vlerësuar përparësinë e vetanake kundrejt dobësive e aduteve të palës tjetër.

Pas mos gjetjes së gjuhës së përbashkët mes z.Kurti dhe z.Mustafa, LVV duket se është duke përdorur logjiken e vjetër, pra atë të ankesës, se LDK nuk po na kupton në ‘barrikadimin‘ tonë rreth pozitës së Presidentit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kur kemi dy negociator të papërgatitur janë bazë e dobët për arritjen e rezultateve të kënaqshme në negociata. Por, këtu kemi një negociator me përvojë dhe një tjetër pa përvojë, andaj barra do t’i bie atij që e ka të drejtën e krijimit të Qeverisë. Negociatat kanë për qëllim krijimin e marrëveshjes për formimin e Qeverisë mes dy palëve. Këto dy subjekte politike kanë hyrë në ‘detyrime’ ndaj votuesve të tyre, andaj nëse nuk arrihet një marrëveshje mes tyre, atëherë ato duhet ta dinë se do të kenë ndëshkime në vota nga ana e elektoratit. Shpresa për të cilën i kanë folur elektoratit të tyre dhe premtimet që i kanë bërë, tani duken se janë venitur tej mase.