Jo veç kazino në Deçan

Isa Mustafa premton se nëse fiton LDK, ekonomia e Deçanit do të lidhet me Shqipërinë, Plavën dhe Gucinë. Thotë se biznesi aty do të zhvillohet i lirë, pa ndikim politik, e jo të ketë veç kazino e lojra të fatit.

Lajme

14/10/2013 13:21

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot se Deçani do të ketë një trajtim të veçantë si zonë kufitare dhe do të krijojë lidhje të veçanta ekonomike me Shqipërinë, Plavën dhe Gucinë.

Mustafa deklaroi kështu në një tubim elektoral të mbajtur në Deçan, në kuadër të fushatës zgjedhore.

“Deçani do të trajtohet në Qeverinë e ardhshme të LDK’së në mënyrë të veçantë si zonë kufitare, sepse ekonominë e kësaj komune do ta lidhim edhe me Shqipërinë, Plavën e Gucinë”.

“Në këtë mënyrë të rinjtë e Deçanit do të gjejnë punë këtu dhe do ta ndjejnë ardhmërinë në vendin e tyre, sepse zhvillimin nuk e meritojnë vetëm një klasë politike, siç po ndodh tani, por të gjithë qytetarët”.

“Me programin e LDK’së, biznesi në Deçan do të zhvillohet i lirë, pa ndikim politik, sepse LDK’ja synon që bizneset në Deçan të mos jenë më vetëm kazinotë dhe lojërat e fatit, por do të krijojmë kushte për zhvillimin e industrisë, e cila kanë qenë e zhvilluar më parë në këtë pjesë të vendit”.

Isa Mustafa tha se Deçani ka traditë pune.

“Ju keni aftësi dhe nuk është aspak e arsyeshme që njerëzit në Deçan të mos kenë punë dhe që Deçani të jetë i pazhvilluar”.

Gjatë tubimit me qytetarët e Deçanit, Mustafa ka thënë se Kosova krenohet me dëshmorët që i dha Deçani, Gjakova, Juniku dhe krejt Kosova.

“Deçani dhe krejt Kosova kanë arsye të krenohen me juve familje të dëshmorëve, me luftëtarët e lirisë, veteranët e luftës- bashkëluftëtarë të Sali Çekut. Deçani ka arsye që të krenohet edhe me Kryetarin e ri të Komunës dhe ai është kandidati i LDK-së, Blerim Bajraktaraj”.

Ai përsëriti se LDK sivjet do t’i fitojë komunat dhe vitin e ardhshëm Kosovën.

“Ne dëshirojmë që jo vetëm në Deçan, por në gjithë Kosovën, të kemi një qeverisje të mirë, që respekton ligjin, dëshirojmë që edhe brenda edhe jashtë Kosovës, të mendojnë pozitivisht për vendin tonë, sepse këtë shtet e kemi krijuar për tu krenuar me të, për t’i zgjidhur problemet tona, e kemi krijuar që ne të jemi vendimmarrës”.