Jo të gjithë deputetët e PDK-së do të votojnë pro Speciales

Gjykatës Speciale, e cila do të merret me hetime ndaj disa ish-luftëtarëve të UÇK-së të dyshuar për krime lufte gjatë vitit 1998-99 pritet të dërgohet për votim në Kuvendin e Kosovës, javën e ardhshme.

Lajme

22/05/2015 14:20

Por, kjo gjykatë përveç që është kundërshtuar nga deputetët e partive opozitare, është kundërshtuar edhe nga disa deputetëve të pozitës, kryesisht të PDK-së.

Zyrtarë të partive në koalicionin qeverisë, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, nuk janë shprehur nëse i kanë votat për formimin e kësaj gjykate.

Disa nga deputetët  e PDK-së, të cilët janë shprehur kundër formimi të Gjykatës Speciale, të kontaktuar nga lajmi.net, kanë thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrimet.

Njëra nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, që ka kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale, është Ganimete Musliu nga radhët e PDK-së.

Ajo për lajmi.net ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se do të votojë kundër kësaj gjykate.

“Qëndrimi im nuk ndryshon. I kam dhënë tashme arsyet e mia dhjetëra herë. S’kam çka te shtojë me  tepër”, ka thënë Musliu.

E pyetur nëse është ky veprimi më i mirë që mund t’i bëjë Kosovës, kur dihet se vlerësimi  ndërkombëtarëve është se Kosova ka obligim moral dhe ligjore ta themelojë ketë gjykate, Musliu është përgjigjur duke thënë se “para se gjithash deputetët kanë obligim ndaj historisë”.

“Respekt për miqtë e Kosovës dhe angazhimin e tyre të pakursyer. Unë mendoj se para se gjithash kemi obligim ndaj historisë, sakrificës, dhe të ardhmes së vendit tonë”, ka thënë ajo.

Një tjetër deputet i PDK-së, që ka kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale, është edhe Fadil Demaku. Ai po ashtu ka thënë se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar, por për më shumë, ka thënë se do të jep arsye kur kjo çështje të vij në Kuvend.

Nait Hasani është një tjetër deputet i PDK-së, që ka kundërshtar Gjykatën Speciale. I kontaktuar nga lajmi.net, edhe ai e ka konfirmuar qëndrimin e tij kundë kësaj gjykate.

“Nuk kam ndryshuar qëndrim për Gjykatën Speciale. Ashtu sikurse kam thënë edhe përpara, do të votojë kundër saj”.

“Themelimi i kësaj gjykate nga Kuvendi nuk është kërkese e të gjithë miqve të Kosovës, por vetëm e një pjesë të saj. Nëse vjen puna deri aty, le ta themelojë Këshilli i Sigurimit, por unë vlerësoj se në nuk duhet ta votojmë”.

Ndërkohë, gjendja në partnerin tjetër qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, mbetët ende e paqartë. Asnjëri nga deputetët e këtij subjekti politik nuk kanë deklaruar publikisht nëse do të votojnë kundër themelimit të kësaj gjykate.

Edhe pse disa nga deputet e kësaj partie mendojnë se Gjykata Speciale do duhej të hetojë edhe vrasjet e pas luftës, deputetët e saj në mënyrë absolute e kishin votuar në lexim të parë këtë gjykatë legjislacionin e kaluar.

Deputeti  i LDK-së, Anton Çuni – ish komandat i UÇK-së, i kontaktuar për lajmi.net, ka thënë se qëndrimin e tij do ta japë në Kuvend, ndërsa ka thënë se nuk është diskutuar në grupin parlamentar çështja e votimit të kësaj gjykate.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka vendosur që amendamentet dhe ligji për themelimin e Gjykatës Speciale, të jenë në rend dite në seancën e 29 maj-it.