Jo shkatërrim në Shqipëri

Rrjeti i Profesionistëve Shqiptarë në Washington kërkon të mos pranohet shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.

Lajme

13/11/2013 22:18

Rrjeti i Profesionistëve Shqiptarë në Washington, me rreth 200 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin amerikan, në një letër drejtuar Qeverisë së Shqipërisë dhe aleatëve të saj, ka kërkuar të refuzohet kërkesa për shkatërrimin e armëve kimike siriane në Shqipëri.

Ky Rrjet, po ashtu, u ka bërë apel partnerëve në strategjikë të Shtetit Shqiptar, me theks të veçantë SHBA’ve si aleati kryesor, si dhe komunitetit ndërkombëtar, të shqyrtojë alternativa të tjera përveç asaj te dërgimit te armëve në Shqipëri.

“Megjithëse ne mbështesim pa asnjë rezervë shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike dhe inkurajojmë pjesëmarrjen e shtetit Shqiptar në iniciativat ndërkombëtare, njëkohësisht ne besojmë se vendit tonë, i mungojnë pajisjet e nevojshme dhe kapaciteti i duhur për të trajtuar pa rrezik këtë çështje e cila konsiderohet me pasoja serioze për jetën e njerëzve dhe për mjedisin”.

“Gjashtë vjet më parë, Shqipëria shkatërroi arsenalin e saj të vogël të armëve kimike me ndihmë të konsiderueshme teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Marrja e një detyrë të tillë, me përmasa akoma më të mëdha, mund të rezultoje fatale për një vend me një mjedis të tillë të brishtë.”

“Për më tepër, disa raporte sugjerojnë se mbeturinat e rrezikshme nga këto armë janë ende në vendndodhje të pasigurt në periferi të kryeqytetit të Tiranës dhe sipas ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe Mjedisit, z. Fatmir Mediu, ende sot e kësaj dite Shqipëria nuk ka asnjë gropë të vetme për grumbullimin e mbeturinave të rrezikshme.”

“Përveç kapaciteteve të mangëta teknike, infrastruktura ekzistuese gjithashtu paraqet rrezik serioz për shkatërrimin e armëve kimike. Disa prej rrugëve të vendit akoma i mungojnë standardet ndërkombëtare duke rritur kështu rrezikun e incidenteve të lidhura me transportin e armeve.”

“Gjithashtu, sektori energjetik në Shqipëri është ende i pazhvilluar dhe nuk është e qartë se si qeveria e re do të zgjidhë mosmarrëveshjen e vazhdueshme me shpërndarësit vendor të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, ka pak gjasa që sektori energjetik të përmbushë kërkesat e sigurisë që duhen për të menaxhuar një fabrikë për çmontimin e armëve kimike.”

Rrjeti i Profesionistëve Shqiptarë në Washington shton më tej në këtë letër se shqetësimi rritet më tepër kur kujtohet ngjarja tragjike e Gërdecit, vend në të cilin Shteti Shqiptar ishte duke u përgatitur për të shkatërruar municione të vjetra. Në këtë aksident, siç pohohet, me qindra tonelata municione shpërthyen duke vrarë 26 njerëz, duke plagosur mbi 300 të tjerë, dhe duke shkatërruar ose dëmtuar seriozisht mbi 500 shtëpi dhe ndërtesa në zonat përreth.

“Procesi i zgjatur dhe i ndërlikuar i shkatërrimit të armëve kimike, mund të sjell rreziqe akoma dhe më të mëdha, duke pasur parasysh mungesën e kapaciteteve në vend për të kryer detyra të ngjashme.”

“Qeveria e sapozgjedhur shqiptare u zotua për të trajtuar çështjen e mbeturinave të rrezikshme. Një nga dekretet e para ishte që të ndalojë importimin e tyre.  Prandaj, propozimi për të shkatërruar arsenalin e armëve kimike nënvlerëson frymën pozitive të këtij projektligji dhe përkushtimin e bërë para popullit shqiptar.”

“Propozimi gjithashtu mund të bjerë ndesh me ligjet dhe kushtetutën e shtetit si dhe të jetë subjekt i procedurave gjyqësore, që rrit rrezikun reputacional dhe atë politik te cilat bien ndesh me interesat e popullit shqiptar si dhe ndikojnë tek investimet e huaja.”, thuhet në letrën e Rrjetit të Profesionistëve Shqiptarë në Washington.