Jo qendra votimi, por pika grumbulluese për zgjedhjet e Serbisë

Qeveria e Kosovës thotë se nuk do të lejojë hapjen e vendvotimeve për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Beogradi këmbëngul në skenarin e vitit 2012, por Bekim Çollaku thotë se mjedisi politik ka ndryshuar që atëherë.

Lajme

18/02/2014 17:59

Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë hapjen e qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare në Serbi brenda shtetit të Kosovës, më 16 mars kur serbët dalin para kutive të votimit për ta zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e re në Beograd.

Bekim Çollaku, Këshilltar i Kryeministrit Hashim Thaçi, ka thënë sot për Radion Evropa e Lirë se ajo që Prishtina zyrtare do ta lejojë për serbët e Kosovës që kanë dyshtetësi janë pikat e grumbullimit, të cilat do të grumbullojnë materialin zgjedhor  dhe votat e qytetarëve të Kosovës, të cilët si shtetësi të dytë e kanë atë të Serbisë.

“Jo qendra votimi, por pika grumbulluese, ashtu siç edhe e kam thënë. Modalitetet teknike i vendosim këtu, në Kosovë, dhe e vendosim të kërkojmë ndihmën e OSBE’së. Kurse, Serbia as që ka për të provuar që të hap qendra votime dhe asgjë tjetër”, ka thënë Çollaku.

Por Serbia insiston që serbët e Kosovës të votojnë në qendra votimi, ashtu sikur bënë në vitin 2012 kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale serbe.

Këtë e ka theksuar për Radion Evropa e Lirë edhe Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.

“Pres që zgjedhjet do të kryhen ashtu sikurse janë realizuar edhe herën e fundit, ku OSBE do ta luaj rolin vendimtar për organizim dhe monitorim. Natyrisht se do të ishte mjaft produktive që Prishtina të mos bëj çfarëdo problemesh në realizimin e zgjedhjeve. Për ne është me interes që zgjedhjet të organizohen në të gjitha 57 vendvotimet, ashtu siç edhe ka qenë herën e kaluar”, ka thënë Dreçun.

Por, sipas Bekim Çollakut, mjedisi politik ka ndryshuar që nga ajo kohë, prandaj thotë se kjo gjë nuk do ët ndodhë.

“Ambienti politik ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore që nga arritja e marrëveshjes (së Brukselit), kështu që, nuk mund të bëni krahasime të 2014 me 2012”, ka thënë Çollaku.