Jo më bllokime në kufi
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, pas zhbllokimit të kufirit Kosovë-Maqedoni, mesnatën e mbrëmshme, kërkoi që bllokada të tilla të mos ndodhin më. Tha se të dyja vendet kanë pësuar dëme dhe konstatoi se lëvizja e lirë është interes i dyanshëm.
Lajme
Ishte aty për ta verifikuar zbatimin e heqjes së taksës për qytetarë dhe e para kaloi në vendkalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, mesnatën e mbrëmshme – kur bllokada në kufi mori fund.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, në mënyrë simbolike kaloi në pjesën maqedonase, për të shënuar përfundimin e barrierës kufitare mes dy vendeve.
Shprehu besimin se bllokada të tilla nuk do të ndodhin më, meqë lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është në interes të të dyja shteteve dhe se të dyja vendet kanë pësuar dëme nga kjo bllokadë.
“Ka qenë një javë jo e lehtë. Siç e dini, kemi qenë në kontakt në vazhdimësi, kemi qenë në kontakt edhe me Qeverinë e Maqedonisë. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë në këtë proces, në kolegialitet dhe komunikim intenziv, edhe pse nuk rezultoi me zgjidhje të menjëhershme. Por, ky është një proces që shpresoj në të ardhmen do të na ndihmojë të reflektojmë të mos kemi barriera mes njëri-tjetrit.”
Edhe delegacioni nga pala maqedonase shprehu kënaqësinë që u tejkaluan mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Maqedonisë.
Valon Saraqini ka kërkuar falje nga të gjithë shqiptarët që kanë pësuar më së shumti nga kjo situatë.
“Kosova dhe Maqedonia, në fakt, kanë raporte të mira ekonomike dhe raporte të mira politike. Ne duhet të punojmë në të ardhmen që këto raporte t’i trajtomë edhe më tepër dhe të punojmë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik.”
“ Sot, në mënyrë simbolike, jemi këtu prezent që të tregojmë se po që se ka bashkëpunim dhe vullnet të mirë mes dy shteteve, çdo zgjidhje mund të tejkalohet dhe çdo problem mund të tejkalohet.”
“Më vjen keq, dhe njëkohësisht dua t’u kërkoj falje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në cilëndo pjesë të kufirit, që në momentin kur të dy shtetet patëm një mosmarrëveshje, sado që të jetë e vogël apo e madhe, ata pësuan dhe dëme të mëdha u shkaktuan edhe për biznesin. Prandaj, duhet të jetë një besim i mirë, siç tha edhe Zëvendëskryeministrja, që në ta ardhmen mos të hasim në probleme të tilla.”
Menjëherë pas hapjes së kufirit kanë filluar të hyjnë edhe maunet, disa prej të cilave kanë pritur në kufi për disa ditë.
“Tre ditë jam këtu, nuk na kanë lënë të kalojmë. Po udhëtoj nga Maqedonia për në Malt të Zi. Nuk më kanë lënë të kaloj tranzit nëpër Kosovë”. “
Kosova dhe Maqedonia, deri tash, kanë nënshkruar rreth 27 marrëveshje bashkëpunimi në shumë fusha. Ndërkaq, barrierat tregtare mes Kosovës dhe Maqedonisë filluan para një jave, kur Maqedonia vendosi ndalesën e miellit për Kosovën. Pas këtij vendimi, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila mori vendim të ndalojë hyrjen e disa produkteve maqedone në Kosovë. Shumë shpejt, barrierat mes dy vendeve u ashpërsuan deri në mbyllje të kufirit.
(Kosovapress / lajmi.net)