Jetëgjatësia shënon rritje në të gjithë planetin

Rezultatet tregojnë se një foshnje e lindur në Suedi sot, për shembull, mund të presë se do të jetojë dy herë më gjatë se ajo e lindur në shekullin e 19-të.

Bota

22/11/2016 17:06

Një ekip shkencëtarësh ndërkombëtar ka njoftuar së fundmi se njerëzit anembanë globit jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm krahasuar me gjeneratat e kaluara, të dhëna këto të cilat shkencëtarët ia atribuojnë avancimit të shkencës së mjekësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Studimi më i ri flet se disa nga gjeneratat e fundit të njerëzve përballen me një rritje të jetëgjatësisë, e paregjistruar deri më tani në historinë e primatëve.

Shkencëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermania, Kanadaja, Danimarka dhe Kenia kanë analizuar të dhënat për lindjet dhe vdekjet të rreth një milion njerëzve të lindur në periudhën e vitit 1700 dhe deri në ditët e sotme.

Të dhënat kanë përfshirë detajet e personave të cilët kanë jetuar në shoqëri të industrializuara si dhe në grupet e vonshme të njerëzve që janë marrë me gjah.

Këta të fundit janë përfshirë si një lloj kontrolli për të krahasuar se sa gjatë kanë jetuar njerëzit të cilët nuk kanë pasur qasje të lehtë në pajisjet bashkëkohore siç janë supermarketet apo vaksinat.