Jetë më të mirë, premton Isa

Isa Mustafa tha se me qeverisjen e LDK’së nëpër komunat e Kosovës të gjithë do të trajtohen njësoj. Ai u premtoi jetë më të mirë edhe banorëve të Kllokotit.

Lajme

18/10/2013 16:28

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, tha se me qeverisjen e LDK’së nëpër komunat e Kosovës të gjithë do të trajtohen njësoj, pavarësisht përkatësive të tyre fetare, etnike dhe partiake.

Këto komente Mustafa i bëri në një tubim parazgjedhor në Kllokot ku prezantoi kandidatin e LDK’së për kryetar të kësaj komune Hasan Rashiti.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës do të trajtohen në mënyrë të barabartë, sepse ne nuk mund të ndajmë rrugë për njerëz të PDK’së apo të LDK’së, nuk mund të investojmë vetëm në komunat e LDK’së ose vetëm në ato të PDK’së, sepse këto para janë të popullit, janë para të qytetarëve dhe ato duhet të shfrytëzohen për të gjithë qytetarët”.

“Komunat do të fitojnë nga fitorja e LDK’së, sepse do të menaxhojmë në mënyrë të drejtë dhe të përgjegjshme, do të punojmë në interes të familjeve tona, fëmijëve tanë, në interes të qytetarëve tanë”.

“Rashiti do të punojë që kjo komunë të zhvillohet më shpejt, që qytetarët në komunë të kenë një arsim më të mirë, të kemi shëndetësi më të mirë, të kemi institucione kulturore më të mira, të kujdeset më shumë për të rinjtë, për perspektivën e tyre, për rekreacion, të kujdeset më shumë për të moshuarit, dhe mbi të gjitha të sigurojë një perspektivë të zhvillimit”, tha Mustafa.

Ndërkaq Hasan Rashiti ka thënë se objektivi i tij është zhvillimi ekonomik dhe një mbështetje të madhe për sektorin e bujqësisë, në mënyrë që të rritet mirëqenia dhe të hapen vende të reja të punës.

“Bazuar në faktin se komuna jonë ka kapacitete të theksuara për zhvillimin e bujqësisë konsiderojmë se promovimi dhe mbështetja e një politike aktive agrare si strategji për zhvillimin e komunës është prioritet mbi prioritete”, tha Rashiti.