Jetë “luksi” në rrugët e Gjilanit- të arrestuarit e grupit kriminal që mashtronin kosovarët e të huajt për investime kinse në kripto

Njësi të Specializuara të Policisë së Kosovës zbarkuan dje në Gjilan, nga shumë qytete të vendit. E gjithë kjo pas një hetimi të gjerë të bërë nga Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Kibernetike. Nën pranga përfunduan tre persona të dyshimtë, të cilët për një kohë të gjatë kishin mashtruar shtetas të huaj kinse për investime …

Lajme

07/05/2025 14:06

Njësi të Specializuara të Policisë së Kosovës zbarkuan dje në Gjilan, nga shumë qytete të vendit.

E gjithë kjo pas një hetimi të gjerë të bërë nga Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Kibernetike.

Nën pranga përfunduan tre persona të dyshimtë, të cilët për një kohë të gjatë kishin mashtruar shtetas të huaj kinse për investime  në bursa fiktive dhe kriptovaluta.

Në lidhje me këto hetime, policia dje kontrolloi tri lokacione në Gjilan- ku edhe u sekuestruan kompjuterë, para, telefona mobilë e shumë të tjera.

Por kush janë të arrestuarit në këtë rast?

Të arrestuar nga ky aksion janë 28 vjeçari Rilind Vllasaliu, një 33 vjeçar Valmir Osmani dhe Nuhi Osmani – i cili muaj më parë mbushi 60 vjeç.

      Valmir Osmani

Dy të rinjtë e arrestuar në këtë rast ishin bërë të njohur në Gjilan. Dyshja kishin krijuar një jetë luksi që binte në sy thuajse nga të gjithë.

Të njëjtit tashmë janë hetuar për mashtrimet që u kishin bërë klientëve për disa vite me radhë, nga një zyrë e modifikuar që shërbente si “Call center” për investime në kripto.

E disa nga reklamimet e kësaj mënyrë të investimeve i bënte edhe njëri nga të dyshuarit në profilin e tij në Facebook.

Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës u deklarua duke theksuar se të njëjtit kishin përfituar kundërligjshëm pasurinë e tyre.

“Të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, dhe në grup edhe me persona të tjerë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm kryesisht shtetas të huaj, duke i joshur përmes thirrjeve telefonike, përdorimit të identiteteve të rrejshme dhe metodave të sofistikuara dhe kanë arritur t’i bindin që të investojnë në bursa fiktive dhe kriptovaluta”,thuhet në njoftimin e policisë, transmeton lajmi.net.

Këtë veprimtari kriminale të dyshuarit dyshohet se e kanë ushtruar nga një lokacion (zyrë) e modifikuar si qendër e thirrjeve e cila ka qenë e kundërligjshme.

Në cilësi të provave materiale lidhur me rastin janë sekuestruar:

– 3 vetura;

– 3 kompjuterë;

– 9 telefona mobilë;

– 10044 euro (para të gatshme);

– 100 franga zvicerane (para të gatshme);

– 1100 dollarë amerikanë (para të gatshme);

– 50 copë municion;

– DVR;

– Router-a;

– Kufje;

– Monitorë kompjuteri;

– Dokumente të ndryshme.

“Me vendim të prokurorit, tre të arrestuarit meshkuj kosovarë ndalohen për 48 orë, derisa rasti është në proces të mëtutjeshëm hetimor”.

Sa i përket këtij rasti nuk ka pasur ende asnjë deklarim nga Prokuroria për detaje të tjera.

Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata./Lajmi.net/