Jeta me skamje dhe nën frikën e gjarpinjve

Në një shtëpi prej guri, të ndërtuar para 50 vitesh ku i mungojnë disa dyer e dritare, me të qara nga të gjitha anët, bën jetë familja Ademi nga fshati Karaqë, komuna e Vushtrrisë.

Lajme

18/09/2016 16:59

Shtëpia e vogël ka lagështi, aty shpesh paraqiten gjarpërinjtë e gjallesat e tjera. Duket se çdo e keqe e ka pllqakosur këtë familje. Për më keq, i zoti i kësaj shtëpie Remzi Ademi është i sëmurë dhe i paaftë për punë nga lëndimet që i kishte pësuar kohë më parë.

Ai, si i pa aftë për punë, tani ka mbetur nën mëshirën e një ndihme sociale në vlerë prej 100 eurosh.

“Unë jam i sëmurë dhe i pa aftë për punë. Kam pasur një plagosje me armë dhe tani që nga ajo kohë jam keq me shëndet sa i përket njërës këmbë. Kjo sëmundje ma ka kufizuar edhe mundësinë të merrem me punë fizike. Familja po më heqin keq, po jetojmë me gjarpërinjtë, të cilët janë prezentë shumë shpesh brenda shtëpisë sonë”, është shprehur nder të tjera ai. Tregon edhe vendet kah kanë itinerarin gjarpërinjtë.

Por, përveç gjarpërinjve, në tavanin e kësaj shtëpie kishin zënë vend me foletë e tyre edhe shpezë të ndryshme, pëllumba, sorra etj. Për të larguar prezencën e tyre, i zoti i shtëpisë thotë se shpesh edhe gjatë verës ndezin shportetin e druve dhe tymosin shtëpinë për të larguar shpezët, gjarpërinjtë dhe gjallesat e tjera, por me kot. Thekson se po sa të largohen pas një dite kur nuk ka tym, “mysafirët” e padëshiruar shihen se zënë vendet e tyre dhe kjo është tmerruese për familjarët.

“E ndezim shportein dhe e lëmë të tymoset tavani me qëllim që të ikin shpezët dhe gjarpërinjtë, por kot. Ata po kthehen sërish. Jemi në hall dhe vërtetë po tmerrohemi, kur po i shohim gjarpërinjtë duke dal nga një mur në tjetrin. Po si të mos dalin e shihni e gjithë shtëpia është nga balta dhe gurët”, u shpreh ai.

Ai madje këshillon edhe gazetarët që gjatë qëndrimit në këto hapësira të kenë kujdes nga gjarpërinjtë.

“Ju mund të frikësoheni nga ata, kurse ne jemi mësuar me këtë jetë. Unë për vete jam mësuar, por e kam hallin edhe të bashkëshortes dhe të katër fëmijëve”, është shprehur ai.

Ndryshe, Remziu ka njoftuar gjithashtu se shpesh kujdestaron gjatë natës për të mbrojtur familjen. Fjalët janë të pakta për ta përshkruar këtë ambient ku jeton kjo familje. Familjarët bëjnë jetë plot ankth e frikë duke rrezikuar jetën në çdo çast. Vërtet një dramë e paparë. Kjo lloj jete nuk mund të mendohet në këtë kohë, por ja që ka familje që rropaten përditë me këso kushtesh.