Jeta e luftëtarit të lirisë në stallë bagëtish

Bekim Ferizi, 47 vjeç nga Mikushnica e Skenderajt, me gruan, tre fëmijë dhe me motrën e sëmurë, jeton në gjendje të mjerueshme në një objekt që dikur shërbente stallë për bagëti. Vetëm me 70 euro ndihmë sociale.

Lajme

06/03/2015 08:47

Ish luftëtari i UÇK-së ka trokitur në shumë dyer, por nuk ka gjetur mbështetje, madje as të bashkëluftëtarët e tij që mbajnë pozita të larta, shkruan sot e përditshmja Zëri.

Thotë ta ketë menduar edhe emigrimin ilegal, por nuk ka mundur ta lërë motrën e sëmurë.

“As ky objekt, që unë I them shtëpi, nuk është i imi. Këtu jetoj me gruan, motrën e sëmurë dhe tre fëmijë, vetëm pse nuk kam ku të shkoj. Fëmijët, sidomos, vuajnë për gjithçka”.

“Librat po ua japin falë, se as ato nuk kisha pasë me çka me i ble. Për fletore, lapsa e goma, si dhe për ndonjë sen tjetër, po bëj diçka. Fëmijët e mi janë më të paveshurit në krejt shkollën, sepse nk kam me çka t’u blej rroba. Gruaja i arrnon rrobet e vjetra të tyre dhe kështu e shtyjmë një ditë për tjetrën”, thotë Bekimi, teksa me djalin e tij të madh, Arditin, i cili shkon në klasë të shtatë, qan hallin për miellin i cili u është harxhuar.

Bekimi ishte një prej ushtarëve të orëve të para të UÇK-së dhe ishte i sistemuar në Brigadën 144 “Fehmi Lladrovci” dhe nga bashkëluftëtarët e tij vlerësohej për trimëri në frontin e luftës.