Jep dorëheqje kryeministri i Ukrainës, Zelensky e vendos në një pozitë të rëndësishme
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen nga posti, vetëm një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky e propozoi atë për të udhëhequr Ministrinë e Mbrojtjes. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare dhe raportuar nga Sky News. Në një lëvizje për të riformuar qeverinë, presidenti Zelensky ka propozuar që Shmyhal të marrë rolin e…

Bota
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka paraqitur zyrtarisht dorëheqjen nga posti, vetëm një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky e propozoi atë për të udhëhequr Ministrinë e Mbrojtjes. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare dhe raportuar nga Sky News.
Në një lëvizje për të riformuar qeverinë, presidenti Zelensky ka propozuar që Shmyhal të marrë rolin e ministrit të ri të Mbrojtjes, ndërsa për postin e kryeministres ka nominuar Yulia Svyrydenko, aktualisht zëvendëskryeministre e parë dhe ministre e Zhvillimit Ekonomik, transmeton lajmi.net
Shmyhal ka shërbyer si kryeministër që nga marsi i vitit 2020, duke u bërë kreu më jetëgjatë i qeverisë që nga shpallja e pavarësisë së Ukrainës në vitin 1991, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Sipas procedurave kushtetuese të Ukrainës, dorëheqja e kryeministrit sjell automatikisht edhe dorëheqjen e të gjithë kabinetit qeveritar. Parlamenti ka afat 30 ditë për të votuar një kryeministër të ri.
Seanca e radhës e parlamentit pritet të mbahet gjatë kësaj jave. Meqenëse partia e Zelenskyt, Shërbëtori i Popullit, ka shumicën parlamentare – të paktën 231 nga 450 vende – propozimi për qeverinë e re pritet të kalojë pa vështirësi të mëdha./lajmi.net/