Jep dorëheqje edhe Kryetari i Këshillit Drejtues në UP, Muharrem Nitaj

Dorëheqjet në UP s'kanë të ndalur. Pas dorëheqjes së Rektorit dhe katër prorektorëve, para pak çastesh dorëheqje dha edhe Kryetari i Këshillit Drejtues të UP'së, Muharrem Nitaj. Thotë se nuk dëshiron të jetë pjesë e dështimit katastofik në UP.

Lajme

10/02/2014 11:17

Dorëheqjet në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës nuk kanë të ndalur. Pas dorëheqjes së Rektorit Ibrahim Gashi dhe katër prorektorëve të këtij institucioni, sot dorëheqje ka ofruar edhe Kryetari i Këshillit Drejtues, Muharrem Nitaj.

Nitaj ka thënë se jep dorëheqje për të mos qenë pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës.

“Në pamundësi për të kryer detyrat në përputhje me kompetencat që kam dhe duke mos dashur të jem pjesë e një dështimi katastrofik në Universitetin e Prishtinës, jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP’së”.

“Situata e krijuar në Universitetin e Prishtinës, është më e rënda e krijuar që nga viti 2000, dhe sot janë atakuar funksionet më vitale të tij. Në një situatë të tillë, kërkohen vendime të rëndësishme për Universitetin dhe në pamundësi për t’i ndërmarrë ato nga pozita që kam, vendimi më i arsyeshëm për mua, është dorëheqja e parevokueshme”.

“Do të ishte katastrofike sikur rënja e Universitetit të Prishtinës, të shënonte fillimin e rënjës së shtetit, prandaj studentët, profesorati dhe opinioni publik do të duhej të viheshin në mbrojtje të tij”.

“Politika edhe këtë herë e ka plagosur rëndë institucionin më të lartë të dijes në vend!”, ka shkruar Nitaj në letrën e dorëheqjes së tij.